​Familjarët e gazetarët kërkojnë drejtësi për gazetarët e vrarë e të zhdukur në Kosovë

Me 23 nëntor janë bërë 19 vite nga vrasja e gazetarit dhe veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafa, e për këtë vrasje ende askush nuk është dënuar. Gazetari Xhemail Mustafa bënë pjesë në mesin e 15 gazetarëve të cilët janë vrarë e për ta nuk është dënuar askush, madje katër prej tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Sot familjarët e gazetarëve të vrarë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në një konferencë të organizuar për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë për periudhën 1998-2005, kanë kërkuar drejtësi dhe që urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve të vihen para drejtësisë.

Beriana Mustafa, vajza e gazetarit të vrarë Xhemail Mustafa, ka deklaruar se si familjarë e- kanë vetëm një pyetje, se ku është drejtësia dhe ku janë njerëz të cilët kanë dhënë urdhër për vrasjen e babait të saj.

Për të është e pakuptimtë që për vrasjen e babait të saj 19 vite pas ende nuk është dënuar askush.

Ajo tha se të flasësh për vrasjen e gazetarëve, të kërkosh drejtësi për ta nuk është vetëm obligim moral, por sipas saj, është e drejtë bazike. Mustafa tha se nuk mundesh me e privuar nga jeta dikë vetëm pse mendon ndryshe nga ti, vetëm pse shkruan ndryshe nga ti.

E bija e Xhemail Mustafës, tha se në emër të një qetësie në Kosovë, institucionet ndërkombëtare dhe vendore kanë bërë pazare shumë të mëdha që këto vrasje të mos zbulohen.

Ajo tha se për ta si familjarë është e rëndësishme të dihet se kush dhe pse i vrau më të dashurit e tyre.

Drejtësi për babain e tij, gazetarin Shefki Popova ka kërkuar djali i tij Diar Popova. Ai tha se është e pakuptimtë që asnjë rast nuk është zgjedhur nga rastet e vrasjeve të gazetarëve.

Se familjet kanë të drejtë të dinë se çka ka ndodhur me familjet e tyre e ka thënë edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, i cili deklaroi se si mision nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për të gjithë gazetarët e vrarë.

Ambasadori Braathu tha se kanë kaluar shumë vite kur kanë ndodhur këto krime ndaj gazetarëve dhe në kohën kur janë kryer institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mandat. Ai tha se tashmë dosjet e këtyre rasteve u janë dorëzuar prokurorive të Kosovës dhe se prokurorët kanë deklaruar se po i marrin seriozisht këto raste, por që tha se disa dosje mund të kenë një ose dy faqe, ku ai tha se nuk ka pasur hetime të mirëfillta dhe të duhura në atë kohë.

Ai ka përmendur disa nga gazetarët e vrarë, ku tha se sot besohet se Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti, janë heshtur për ngritjen e zërit të kritikës ndaj zhvillimeve politike dhe sociale të asaj kohe. Braathu deklaroi se nuk do të rreshtin së përmenduri të gjitha rastet e gazetarëve deri në zgjidhjen e tyre.

Ambasadori Braathu tha se përkundër sfidave në Kosovë indeksi i lirisë së shprehjes i vitit 2019 e rëndit Kosovën në vendin 75 dhe është një ngritje, sipas tij, Kosova është më së miri në rajon sa i përket lirisë së shprehjes. Po ashtu, ai përmendi se janë 18 raste të gazetarëve që janë kërcënuar gjatë këtij vit në Kosovë.

Ndërkaq, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina, tha se janë gazetarët që përmes punës së tyre synojnë të parandalojnë krimin, keqpërdorimin dhe tentojnë të parandalojnë abuzimin me pushtetin. Vrasja e gazetarëve sipas saj, u pa si zgjidhje nga ata që qëndrojnë prapa këtyre krimeve për t’i arritur qëllimet e tyre të errëta.

Ajo tha se është e vërtetë që 20 vite barra e Kosovës është rënduar edhe më shumë pasi drejtësia për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur ka mbetur peng.

Begolli u ka kërkuar OSBE-së, të gjitha organizatave që veprojnë në Kosovë, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadave të huaja në Kosovë, që të kontribuojnë në themelimin e një fondi të veçantë, që do të përkrahte hulumtimet e gazetarëve, jo vetëm për të kontribuar në ndriçimin e rasteve të vrasjes dhe zhdukjes së kolegëve tanë, por edhe në një shenjë kujtimi për veprën e tyre të madhe.

Zgjidhje të rasteve të vrasjeve të gazetarëve ka kërkuar edhe kryesues i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Niçiq.

Ai u shpreh se prokuroritë e Beogradit dhe të Prishtinës duhet të gjejnë një bashkëpunim për zbardhjen e rasteve të gazetarëve të Kosovës, e një bashkëpunim i dy prokurorive sipas tij është shumë e domosdoshme.

Konferenca për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë është organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe OSBE.