​Endrit Shala zotohet për mbështetje të prodhuesve

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë krahë prodhuesve vendor duke i ndihmuar që t’i certifikojnë produktet e tyre në mënyrë që të kenë mundësi për të eksportuar produktet e tyre.

Kështu ka thënë ministri i MTI-së Endrit Shala, pas vizitës që sot i ka bërë kompanisë vendore “Meka”, për të cilën ka thënë se është një kompani e cila i përmbushë të gjitha standardet e BE-së.

Ministri tha se kompania Meka trajton në mënyrën më të mirë punëtorët e saj, duke përmendur që kjo kompani ka dhënë edhe pagën e 13 dhe të 14. Sipas tij, të gjitha kompanitë dhe prodhuesit, duhet të marrin shembull nga kjo kompani.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Meka” Burim Piraj, ka thënë se që nga ardhja e ministrit Shala kanë parë hapa konkret.

Ai ka thënë se një ndihmesë shumë e madhe për prodhuesit vendor është taksa që i është vendosur produkteve që importohen nga Serbia.

Ministri Shala gjatë ditës e ka vizituar edhe kompaninë “Hit Flores”, e cila merret me përpunimin dhe grumbullimin e bimëve malore.