​Eksperti i sigurisë: “Katastrofa humanitare” në veri nuk mund të ndodhë

Paralajmërimi se në veri të vendit po përgatitet plani i “katastrofës humanitare”, ku dyqanet do të boshatisen e nuk do të gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, sipas ekspertëve të sigurisë nuk mund të ndodhë.

KosovaPress dy ditë më parë ekskluzivisht kishte raportuar se si ky plan po përgatitej i dirigjuar nga Beogradi, për të cilin plan më pastaj kanë reaguar edhe institucionet e Kosovës.Burime të KosovaPress-it kishin thënë se në një takim që ishte mbajtur të mërkurën mes kryetarëve të sapo zgjedhur të katër komunave veriore, disa afaristë të asaj pjese, përfaqësues ilegal të institucioneve, si dhe një zyrtar i lartë i qeverisë nga Beogradi, me ç’rast veç tjerash, është hartuar plani për ‘katastrofën humanitare’ në veri.“Nga depot dhe dyqanet në veri tashmë veç ka filluar largimi dalë ngadalë i artikujve ushqimorë elementarë, në mënyrë që prej ditës së hënë të mos mbetet asgjë. Të hënën do të ftohen të gjitha mediat edhe nga Serbia dhe do të pasqyrohet gjendje katastrofe për qytetarët në atë pjesë të Kosovës’, kanë thënë burimet.

Por ky plan sipas profesorit të shkencave të sigurisë, Avni Islami, nuk mund të ndodhë. Ai thotë se institucionet e sigurisë së Kosovës së bashku me KFOR-in nuk do të lejojnë që të vije deri tek një trazirë në veri të vendit.Ai tha se KFOR-i është i mandatuar ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Se nuk do të qëndrojnë duarkryq ndaj këtyre tendencave për destabilizim e ka thënë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili përmes rrjetit social facebook ka ftuar kryetrarët e komunave në veri dhe qytetarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve.

KosovaPress përmes burimeve të saj kishte mësuar se personat e angazhuar përgjegjës për një organizim të tillë janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq etj, të gjithë këta njerëz shumë të besueshëm të kapos së krimit në atë pjesë, Millan Radojçiqit. Po ashtu, kishte raportuar se ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq.