​DS: Shndërrimi i Qendrës Studentore në karantinë rrezikon përhapjen e virusit në kryeqytet

Demokracia Studentore ka reaguar sot ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për shndërrimin e Qendrës së Studentëve në karantinë, duke thënë se një gjë e tillë rrezikon përhapjen e virusit në Prishtinë, andaj si i tillë duhet të anulohet.

“Qendra Studentore është e planifikuar për strehim të studentëve jo për ata të cilët dyshohen me koronavirus. Qeveria e Kosovës nuk e ka analizuar rrezikun e përhapjes shumë të shpejtë të këtij virusit dhe merr vendim që në Qendër të Prishtinës të vendoset ata që dyshohen me koronavirus që janë gjasat direke që ky virus të shpërndahet shumë shpejt edhe në kryeqytet”, thuhet në reagim.

“Ky vendim i pa matur i Qeverisë së Kosovës shkakton traumë në të ardhmen te studentët që banojnë në këto konvikte dhe rrezikon që mos të kthehen më. Ne kërkojmë anulimin e këtij vendimi dhe të planifikohet një vend larg kryeqytetit”, përfundon reagimi i Demokracisë Studentore.