​Dieta e Beyonce mund të jetë e rrezikshme për shëndetin

Këngëtarja e njohur Beyonce kohët e fundit zbuloi se kilogramët që fitoi pas lindjes së binjakëve Sira dhe Rumi u humbën me ndihmën e një diete 22-ditore.

Kjo ka ndikuar që mijëra njerëz në të gjithë botën të fillojnë dietën që ajo promovon dhe madje të paguajnë 11,50 funte në muaj për të pasur qasje në planin e kësaj diete.Këto receta bazohen në ushqime me bazë bimore dhe përjashtojnë karbohidratet, sheqerin, mishin, peshkun dhe produktet e qumështit.

Por, Daniel O’Shaughness, një nutricionist në Shoqatën Britanike për Ushqyerjen dhe Mjekësinë e Jetës, paralajmëron se kjo lloj diete mund të çojë në “mangësi ushqyese”.

Siç tha ai në një intervistë për BBC, njerëzit mund të ndihen “të lodhur dhe të rraskapitur” për shkak të saj.

“Mund të jetë e rrezikshme për një person mesatar që të ndjekë këtë lloj diete nëse nuk ka një ekip ushqyesish dhe trajnerësh si Beyonce,” shpjegoi ai.

Konkretisht, kjo dietë propozon një konsum vetëm 1.400 kalori në ditë ndërsa ekspertët rekomandojnë 2.500 kalori për burrat dhe 2.000 për gratë, transmeton KosovaPress.

Përveç se nuk ka mjaftueshëm lëndë ushqyese në trup, O’Shaughness vë në dyshim se sa të shëndetshme janë opsionet, të cilat i sugjeron dieta e këngëtares, pasi vetëm një lëng i gjelbër përmban tetë lugë të pabesueshme sheqeri.

Kjo dietë 22-ditore u shpik në vitin 2013 nga miku dhe trajneri personal i Beyonce, Marko Borges, dhe këngëtarja e mbajti atë dy herë, 44 ditë, në vitin 2017, duke humbur 12 kilogramë.