​Dhuna në familje, shqetësuese numri i vogël i kallëzimeve penale

Institucionet e drejtësisë po bëjnë pak në trajtimin e dhunës fizike dhe seksuale. Si rrjedhojë, edhe kërkesat për paraburgim në rastet e dhunës janë shumë të ulëta. Nga 2959 raste sa ka pasur kallëzime penale në vitin 2016, Prokuroria ka bërë vetëm 84 kërkesa për paraburgim, në vitin 2017 vetëm 115 raste, si dhe në gjysmën e parë të vitit 2018, paraburgimi është kërkuar vetëm në 69 raste.

Kështu tha Ariana Qosaj Mustafa nga KIPRED me rastin e prezantimit të një raporti të përbashkët me GLPS dhe Artpolis, para komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ku u diskutua për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive.

Ajo tha se ka mungesë serioziteti nga ana e institucioneve të drejtësisë për t’i trajtuar rastet e dhunës fizike dhe seksuale, pasi sipas saj, në rastet e ngacmimeve seksuale, rastet e dhunimeve, por edhe ato të LGBTI, në sistemin e drejtësisë nuk ekzistojnë procedura standarde të veprimit.Raporti, siç tha ajo ka evidentuar jo seriozitet të institucioneve të drejtësisë për t’i trajtuar rastet e dhunës fizike dhe seksuale.

Ajo ka treguar se çfarë ndodhë me rastet e dhunës, në momentin e raportimit të saj, ku policia e bënë një vlerësim të rrezikut, por që nuk vazhdohet më tutje, gjë që sipas saj, tregon se vlerësimi i rrezikut nuk bëhet në mënyrë të drejtë. Sipas saj, ka një numër jashtëzakonisht të vogël të raportimeve të dhunës seksuale.Ndërsa tha se kanë vërejtur se ka disa prokurorë që përkundër tërheqjes së viktimave vazhdojnë ndjekjen penale.

Kryetarja Albulena Haxhiu tha se duhet një bashkërendim i Kuvendit dhe shoqërisë civile për të zgjidhur problemet e adresuara sot. Teksa foli edhe për Konventën e Stambollit.
Deputeti nga radhët e Nisma-s, Bilall Sherifi tha se nuk është duke u bërë mjaftueshëm as në edukimin arsimor, ku sipas tij, dhuna duhet të ndalet së pari aty.

E deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi tha se ligji për dhunën në familje është absurd.

Sipas tij, në policinë e Kosovës nuk bëhet protokollimi i takimeve të zyrtarëve policorë me qytetarët. Për këtë, ai kërkoi që të bëhet regjistrimi dhe protokollimi i çdo takimi.Ndërsa deputeti nga radhët e PDK-s, Hajdar Beqa tha se institucionet gjegjëse duhet të marrin vendimin e drejtë.

Ai tha se ka raste kur viktima është burri.

Kurse sa i përket Konventës së Stambollit, Beqa tha se e ka koston e vet. Sipas tij, mund të jetë problem votimi i saj në seancë për shkak të Listës Serbe, pasi për votimin e saj duhen 2/3 e votave.Ndryshe, Konventa e Stambollit do të shqyrtohet të premten në seancën e Kuvendit të Kosovës.