​Detaje nga shpërthimet në Kabul, dyshohet për sulm vetëvrasës

Shpërthimi para Aeroportit të Kabulit ishte në njërën prej dyerve të përparme dhe duket se ishte një sulm vetëvrasës, thanë tre zyrtarë amerikanë, raporton CNN.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden u informua për shpërthimin në aeroportin e Kabulit.

Sipas informacioneve të para, sulmi ndodhi në afërsi të hotel “Baron”, i cili ndodhet përballë hyrjes në aeroport. Mediat britanike raportojnë se ushtarë dhe gazetarë britanikë ishin akomoduar në hotel.

Një zyrtar amerikan i tha CNN se kishte viktima në mesin e afganëve, por nuk kishte ende informacion për viktima në mesin e qytetarëve amerikanë-

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby konfirmoi se kishte një shpërthim në aeroport.

“Ne mund të konfirmojmë shpërthimin jashtë aeroportit të Kabulit. Nuk dihet ende nëse ka pasur viktima. Ne do të japim detaje shtesë kur të mundemi,” shkroi ai në Twitter.

Disa fuqi botërore, përfshirë Britaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Australinë, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin shkuarjen në aeroport, duke përmendur “një kërcënim shumë të lartë të një sulmi terrorist” si arsye.