​Detaje nga rasti i lëndimit të nxënësve në shkollën “Zejnel Salihu” në Fushë Kosovë

Paraditen e së enjtes, gjatë një ore të mësimit në shkollën “Zejnel Salihu” në Bardh të Fushë Kosovës janë lënduar dy nxënës pasi ka rrëshqitur dritarja e klasës ku ata po vijonin mësimin.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress drejtori i Arsimit i komunës së Fushë Kosovës, Islam Shabani, i cili ka thënë se ngjarja ka ndodhur në një paralele të klasës së 7-të. Shabani ka theksuar se për këtë ngjarje është informuar rreth orës 14 pasdite, kur edhe i është bërë e ditur se drejtori i shkollës “Zejnel Salihu” së bashku me kujdestarin e klasës i kishin dërguar nxënësit fillimisht në Shtëpi të Shëndetit, e më pas edhe në Emergjencë.

“Dje ne Bardh të Madh, gjatë orës së mësimit, papritmas ka rrëshqit dritarja, e cila u ka rënë dy nxënës të klasës së 7, njërit në krahë, tjetrit në kokë. Drejtori i ka çu ne Shtëpi të Shëndetit dhe në emergjence nga frika mos janë lënduar. Mjeku i ka kontrollu dhe ka thënë se nuk ka rrezik e as pasoja, veç pak ngjeshje. Dritarja nuk ka qenë e kyçur mirë”, ka thënë ai.

Shabani ka komentuar edhe raportimet e mediave lidhur me këtë rast, se gjoja sipas tij, ka pasur tentativë që këtë rast ta mbajnë të fshehur.“Neve na vjen shumë keq. Unë po lexoj në shtyp gjithçka, ato janë gënjeshtra.

Nuk ka shans me ju bë presion. Unë e kam marrë vesh këtë në ora 14, ngjarja ka ndodhur paradite. E si kam mundur t’i bëj presion dikujt? Nuk kam bërë kurrfarë presioni, do të kujdesemi që gjëra të tilla mos të përsëriten. Ka disa gazeta se gjoja drejtori ju ka kërcënu drejtorit të shkollës mos me e bë të madhe, kjo nuk qëndron”, ka shtuar ai.

Megjithatë ai ka pranuar se në shkollën në fjalë janë duke u zhvilluar punime në fasadën e jashtme të objektit, porse ka shtuar se në pjesën ku ka ndodhur aksidenti nuk ka pasur skele dhe as punime.

E lidhur me këtë rast ka folur edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ajo ka konfirmuar se Policia e Kosovës është informuar lidhur me këtë rast, porse nuk është iniciuar rast.

“Lidhur me këtë rast jemi njoftuar dje rreth orës 13. Ka qenë aksidentale dhe nuk është iniciuar rast për këtë”, ka thënë ajo.Specialisti i mjekësisë emergjente, Avdush Bajgora ka treguar për KosovaPress se ditën e djeshme kanë pranuar nxënësit e shkollës “Zejnel Salihu” në Emergjencë, për të cilët ka thënë se fatmirësisht nuk kanë pasur lëndime të rënda trupore.

“Ne kemi pasur këtë rast dje në emergjencë. Nxënësit nuk kanë pasur lëndime të rënda”, ka thënë ai.Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës dega në Fushë Kosovë, e cila ka kërkuar hetime nga të gjithë akterët pasi sipas tyre, këta të fundit janë munduar të heshtin lëndimin e nxënësve.

PDK, dega në Fushë Kosovë, në një komunikatë për media ka akuzuar drejtorin për Arsim të komunës së Fushë Kosovës, Islam Shabanin, se është munduar të hesht rastin.Madje sipas tyre, lëndimi i nxënësve kishte ardhur në një formë krejt tjetër, dhe jo nga dritarja.

“Dje në fshatin Bardh të Fushë Kosovës janë lënduar disa nxënës të shkollës fillore “Zejnel Salihu”, si pasojë e shembjes së një pjese të skeleve për renovim të objektit të shkollës, por ky aksident është tentuar të fshihet nga drejtori i Drejtoratit për Arsim i Komunës së Fushë Kosovës, Islam Shabani.

Aty theksohet se armaturat e skeleve kanë rënë në dritaret e shkollës ku po mbahej mësimi me ç’rast kanë goditur nxënësit, ku dy vajza kanë marrë lëndime në kokë dhe shpinë. Ngjarja nuk është bërë e ditur as në polici e as në QKMF të Fushë Kosovës, pasi nga kërcënimet e drejtorit të Drejtoratit për Arsim, Islam Shabanit, nxënësit janë dërguar në QKUK, duke tentuar që gjithçka të kalojë në heshtje.Merrret vesh se interesimit të një medium lokal për këtë ngjarje nuk i janë dhënë informacione as nga QKUK-ja e as nga policia.

Madje sipas informacioneve as në raportin 24 orësh të policisë nuk është shënuar ky rast.Dega e PDK-së në Fushë Kosovë kërkon sqarim në lidhje me krejt këtë ngjarje nga drejtori i Drejtoratit të Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, nga policia e Kosovës dhe nga QKUK-ja.

Kërkojmë hetime të mëtutjeshme për ngjarjen dhe për të gjithë akterët që janë munduar ta heshtin lëndimin e nxënësve dhe nuk do të ndalemi deri në sqarimin e plotë”, thuhet në komunikatë.Po ashtu, PDK dega në Fushë Kosovë thekson se shkollën “Zejnel Salihu”, mësimi ka filluar me vonesë për shkak të renovimit, por gjithçka ka kaluar në heshtje nga ana e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Fushë Kosovës.

loading…