​Deputeti i Nismës thotë se Qeveria ka dalë totalisht jashtë kontrollit të Kushtetutës

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë se Qeverisë së shkarkuar i ka dalë jashtë kontrollit gjendja me pandeminë COVID-19.

Po ashtu ai ka thënë se qeveria e shkarkuar ka dalë totalisht jashtë kontrollit kushtetues.

“Qeverisë së shkarkuar i ka dalë jashtë kontrollit gjendja me pandeminë COVID 19, ndërsa tashmë qeveria e shkarkuar ka dalë totalisht jashtë kontrollit të kushtetutës”, ka shkruar Shala në Facebook.

Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, së bashku me ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) Rozeta Hajdari, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme (MPB)-së, Xhelal Sveçla dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilia Rexhepi, mbajtën një konferencë për media, ku njoftuan opinionin për masat e reja që do të hyjnë në fuqi lidhur me parandalimin e përhapjes së Covid-19 në Kosovë.

Si masë e re, që do të hyjë në fuqi nga data 15 prill në orën 17:00, është kufizimi drastik i lëvizjes së qytetarëve, duke funksionuar në bazë të numrit të parafundit të numrit personal në letërnjoftim. Lëvizja e qytetarëve do të lejohet vetëm 90 minuta brenda ditës.