​COVID-19: SHBA 100 milionë dollarë ndihma urgjente për Indinë

SHBA-ja njoftoi dërgimin me urgjencë të më shumë se 100 milionë dollarëve ndihmë mjekësore në kuadër të luftës kundër COVID-19 në Indi, ku pandemia po shkakton probleme të mëdha.

Mes këtyre furnizimeve bëjnë pjesë rreth një milionë teste të shpejta depistimi, që mundësojnë zbulimin e një infeksioni me COVID-19 në 15 minuta.

“Avioni i parë ushtarak që transporton këto materiale do të mbërrijë sot në Nju Delhi”, theksoi Shtëpia e Bardhë.

Kjo ngarkesë do të përfshijë gjithashtu 100 000 maska mbrojtëse N95, të destinuara për punonjësit në linjën e parë të pandemisë.

India po përballet me një ezaurim të kapaciteteve spitalore me një numër të madh të sëmurësh, që po përballen me një mungesë shtretërish në spitale, me mungesë të oksigjenit dhe medikamenteve jetësore.

Të tjera fluturime të planifikuara nga Uashingtoni do të vazhdojnë, që do të mundësojnë dërgimin e materialeve të oksigjenoterapisë dhe furnizime që mundësojë prodhimin e më shumë se 20 milionë dozave vaksinash.