​Chelsea ia beson të ardhmen Thomas Tuchel

Trajneri gjerman i cili e zëvendësoi Frank Lampardin këtë janar, ka vazhduar sot të ardhmen e tij me “Blutë” edhe për dy vite.

Thomas Tuchel ka nënshkruar kontratën e re dy vjeçare të ofruar nga Chelsea, ku paraprakisht gjermanit i ishte ofruar qëndrimi prej 18 muajsh në “Stamford Bridge”, por së fundmi me triumfin në Ligën e Kampionëve, krerët e skuadrës londineze e shpërblyen atë me një kontratë të re.

Që nga janari, nën urdhrat e Tuchel, Chelsea arriti të prek finalen e Kupës FA në Angli, të cilën e humbi nga skuadra e Leicester, por dy javë më vonë erdhi medalja e parë, ku në finale të Ligës së Kampionëve triumfuan kundër Manchester Cityt me rezultat 1:0.

Në zgjatjen e kontratës, Tuchel u shpreh shumë i lumtur që është duke e pasur këtë aventurë, dhe shumë i lumtur që është pjesë e familjes së Chelseat.

“Nuk mund të imagjinoj një rast më të mirë për rinovim të kontratës. Jam tejet falënderues për këtë eksperiencë dhe shumë i lumtur që jam pjesë e familjes së Chelseat. Ky është vetëm fillimi, dhe jemi duke i përcjellur hapat tonë me ambicie të madhe”, tha Tuchel.

Brenda pesë muajve, Tuchel ka bërë një punë të shkëlqyer me “Blutë” e Londrës, duke e përfunduar sezonin 2020/21 në Top 4 në Premier Ligën angleze, dhe si kampion evropian, pas triumfit në Ligën e Kampionëve kundër rivalëve anglez, Manchester Cityt.