​Çështja e të pagjeturve, deputetja e PDK-së kërkon shkarkimin e Selmanajt

Një email që zëvendëskryeministri Driton Selmanaj kishte dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, e ku thuhet se çështja e të pagjeturve është ezauruar, ka shkaktuar përplasje verbale ndërmjet njeriut të dytë të Qeverisë dhe deputetes Besa Ismajli-Ahmeti.

Deputetja e PDK-së në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Hoti që të shkarkojë zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj pikërisht për shkak të kësaj çështjeje.

Por, ky i fundit në fjalën e tij nuk pranoi të ketë deklaruar se çështja e personave të pagjetur është ezauruar, teksa ka dhënë sqarime të përgjigjes së tij dhënë komisionit.

“Kinse e kam thënë se tema e të pagjeturve është ezauruar. A dini pse nuk munda të reagoj? Nuk munda të bie në nivel të tillë që me këtë temë të bëhet kaq shumë politikë. Por, nuk kam çare pa dal tash dhe pa reaguar. Unë asnjë herë në jetën time nuk kam thënë që tema e të pagjeturve është ezauruar. Kam thënë se instrumenti i raportimit meqenëse 6 orë kryeministri ka raportuar në Kuvend të Kosovës unë nuk mund të vij, sepse është konsumuar instrumenti i raportimit për këtë temë. Kushdo që flet shqip dhe kupton shqip këtë e kam thënë. Unë nuk jam befasuar nga kryetarja e Komisionit Duda Balje që nuk më ka kuptuar drejt, sepse nuk flet shqip dhe nuk kupton shqip, por nga deputetët e tjerë, vërtet jam ndjerë keq sot”, tha ai.

Selmanaj ka kritikuar edhe mungesën e deputetëve të opozitës në sallë kur flitet për temën e të pagjeturve, për çka ka reaguar edhe nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci.

“7, 8 deputetë të LVV 7, 8 të PDK-së, ku janë të tjerët. Unë flas për të pagjeturit deputetja Pacolli qesh, mos qesh se jam duke fol temë shumë të ndjeshme, është shumë e ndjeshme!”, tha ai.

Selmanaj tha se në Qeverinë Hoti nuk ka këshilltar që thotë se UÇK ka kryer krime.

“Nëse dikur keni menduar se dikush mund të mbajë edhe këshilltar që thotë se UÇK-ja ka kryer krime, te kjo Qeveri nuk mund ta gjeni, as te koordinatori nacional, as tek ekipi i tij”, tha Selmanaj.

Deputetja e PDK-së Besa Ismajli-Ahmeti i ka reaguar zëvendëskryeministrit Selmanaj duke lexuar emailin që ai e kishte dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, pas të cilit ajo ka kërkuar nga kryeministri Hoti të shkarkojë Driton Selmanajn.

“Konsiderojmë se kjo çështje është e konsumuar, rrjedhimisht e ezauruar në raportimin e kryeministrit në seancën e Kuvendit të mbajtur më 24 korrik. Kryeministri duke ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe në përputhje të plotë me parimet e transparencës dhe llogaridhënies ka prezantuar në detaje procesin e dialogut Kosovë Serbi, lidhur me këtë raportim siç jeni edhe ju në dijeni është zhvilluar një debat disa orësh në Kuvendin e Kosovës andaj konsiderojmë se diskutimi i një çështje të tillë është konsumuar paraprakisht dhe nuk është oportune që për të njëjtën temë të raportohet përsëri…Nëse ju për një e-mail kaq të thjeshtë jeni në gjendje të na shikoni në sy dhe ta mohoni nuk e di për diskutimet që bëni në Bruksel, çfarë jeni në gjendje të na thoni. Kryeministër Hoti, ky zëvendëskryeministër duhet të shkarkohet që tani në mënyrë që ne t’iu besojmë”, tha ajo.

E zëvendëskryeministri Selmanaj tha se me leximin e email-it, ‘u konfirmua ajo çfarë tha ai’.

“E nderuara deputete, unë nuk e lexova tekstin për shkak nuk doja të më shkojnë sekondat. Faleminderit, shumë! Nuk ma ka shkruar dikush nga zyra ime, e kam shkruar vetë me dorën time dhe me dijen time dhe pikërisht po e konfirmon atë që e thashë. Unë në këtë rast kisha kërkuar një ndihmë prej njeriut të letrave z. Kujtim që të mbajë një leksion të gjithëve një ligjëratë dhe ta shpjegojë këtë. Kam shkruar në gjuhën shqipe, raportimi si instrument është konsumuar, por kurrë çështja e të pagjeturve dhe do të angazhohem deri në rastin e fundit”, tha Selmanaj.