​Bytyqi zotohet për infrastrukturë dhe tekste shkollore për nxënësit e shkollës “Gjon Serreçi”

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, shkollë kjo e cila po ballafaqohet me mungesë të hapësirës dhe po ashtu mungesë të teksteve shkollore.

Bytyqi me këtë rast ka premtuar se kjo shkollë do të operojë me dy ndërrime e jo me tri sikur deri tani.

Ai u zotua se së shpejti nxënësit e kësaj shkolle do të pajisjen edhe me tekstet shkollore, derisa theksoi se MASHT ka bërë shpërndarjen e duhur për komunën e Ferizaj.

Drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani ka vlerësuar se gjendja e shkollës fillore” Gjon Serreçi” nuk është aspak e mirë, por që sipas tij, ndërtimi i shkollës së re në të cilën do kalojnë nxënësit e shkollës “Shaban Hashani” e objekti i kësaj shkolle do i vihet në dispozicion nxënësve të “Gjon Serreçit”.

Ai tha se janë duke punuar që nxënësit e kësaj shkolle të pajisen me libra shkollor. E, Drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Gjon Serreçi”, Nazmi Heda teksa ka folur për gjendjen jo të mirë të shkollës që ai udhëheqë, theksoi nevojën për krijim të kushteve më të mira për mësim në këtë shkollë.

Ai tha se nga i pari i Arsimit në Kosovë ka marr garancat se së shpejti nxënësit e kësaj shkolle do gëzojnë kushte më të mirë për procesin mësimor.

loading…