​Bulliqi: Veliu qeverisi keq, programi ynë bën kthesë të madhe në Podujevë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po vazhdon fushatën zgjedhore në çdo fshat dhe lagje të kësaj komune.

Gjatë ditës së sotme ai është takuar me banorët e fshatit Llugë, të cilëve iu premtoi ndryshime të mëdha nëse ai merr mandatin, në arsim, ekonomi, shëndetësi, infrastrukturë e në shumë fusha të tjera.

Sipas Bulliqit, në këtë lokalitet ka pasur pak investime dhe se edhe ato që janë realizuar janë bërë me iniciativën e vetë qytetarët.

Ai u zotua se programi i tij qeverisës do të bëjë kthesë të madhe në Podujevë.

“Kemi mjaft nga t’ia nisim dhe cilën pikë ta shikojmë, pasi që është një model ekstra i një qeverisje të keqe që ka bërë ky individ (Agim Veliu) për këta 20 vjet në komunën tonë…Edhe këto pak projekte të realiz uara, të jeni të bindur dhe e dini shumë mirë që janë projekte individuale që i kemi bërë si qytetarë të organizuar… Unë besoj se ka ardhur dita për ndryshimin dhe tashmë këtë ndryshim nuk mund ta ndalë askush, aq më pak ata të cilët e patën pushtetin për 20 vjet…Ne kemi bërë një program të punës ku janë futur të gjitha projektet që do të realizohen gjatë kësaj periudhe në fushën e administratës komunale, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, rinisë, sportit, mjedisit, pastaj edhe në pore tjera të cilat janë të rëndësishme në administrimin e pushtetit lokal”, u shpreh Bulliqi.

Deputetja nga radhët e VV-së, Saranda Bogujevci u shpreh e bindur se programi i Bulliqit ia kthen dinjitetin qytetarëve të Podujevës. Ajo i bëri thirrje elektoratit që më 15 mars të votojnë të ardhmen e tyre dhe për Shpejtim Bulliqin.

“Mendoj që është koha e duhur që t’ia japim komunën edhe t’ia kthejë dinjitetin këtij vendi. Profesori di ta ketë lëvizjen mbrapa dhe çka është me rëndësi do t’i ketë të gjithë qytetarët e këtij vendi mbrapa dhe besoj që së bashku do ta rregullojmë një jetë më të mirë në këtë vend….Kërkoj nga ju që të dielën më 15 mars të dilni të vendosni për të ardhmen e Llapit e Gollakut”, u shpreh Bogujevci.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë mbahen pasi kryetari aktual Agim Veliu dha dorëheqje për të kaluar në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.