​Bislimi: Mustafës nuk i ka hije të përdorësh shprehjet “papagaj” e “kokëkrisur”

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa i cili tha se do e gjykojë vetën pse kishte mbështetur koalicionin me LVV-në. Sipas Bislimit, Mustafa asnjëherë nuk ka vepruar kështu, që ka hyrë në koalicion me PAN-in, e që e bëri me veprime korruptive Hashim Thaçin, president.

Ndër të tjera, ai në një shkrim në facebook, tha se nuk i ka hije një anëtari të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës të përdorë shprehje të tilla si “papagaj” e “kokëkrisur”.

Lexoni shkrimin e plot:

1. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, po thotë se para pesë ditëve “dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme”. Në fakt, masat e jashtëzakonshme tashmë ishin duke u aplikuar dhe ato jemi duke i shtuar. Kosova është ndër vendet q i ka marrë masat më herët, dhe pa mëdyshje qeveria e ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore. Problemi qëndron te zelli i Mustafës për të kërcyer menjëherë në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, zell ky që përputhet me ambicien e Presidentit. E, dihet pse Presidenti ka këtë ambicie: ai nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe deri në çastet e fundit me 3 shkurt u përpoq ta parandalonte Qeverinë e re.

2. Nuk i ka hije një anëtari të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës të përdorë shprehje të tilla si “papagaj” e “kokëkrisur”. Kjo nuk është as në frymën institucionaliste dhe as rugoviste të LDK-së me të cilën ne duam të bashkëqeverisim. Me fjalorin tonë publik ne japim shembujt për qytetarët. Bashkëpunimi ynë kërkon shembuj të mirë, jo të këqinj.

3. Isa Mustafa asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që ka hyrë në koalicion me PAN-in dhe asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që e ka bërë, me veprime korruptive, Hashim Thaçin president. Por po shohim se e gjykon veten që e ka bërë kryeministër dikë i cili fitoi legjitimitet me zgjedhje demokratike e që ka në plan të parë luftimin e krimit dhe korrupsionit, dikë në mbrojtje të të cilit janë vënë gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit. Z. Mustafa duhet të heqë dorë nga asocimi me figurat e PAN-it, dhe duhet ta forcojë qeverinë e përbashkët LV-LDK në luftën kundër virusit.