​Bie numri i rasteve të reja me COVID-19 në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë njofton se 9 persona të tjerë kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërkohë që rastet e reja janë 217 nga 2522 testime të kryera.

Ditën e djeshme, rastet e reja ishin 435. Ndërkohë, 202 janë të shëruarit në 24 orët e fundit.

Janë kryer 2522 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 217 qytetarë, në këto bashki: 143 në Tiranë, 20 në Fier, nga 5 qytetarë në Durrës, Lushnje, nga 4 qytetarë në Kamëz, Gjirokastër, nga 3 qytetarë në Pukë, Krujë, Kavajë, Mat etj.

Janë 6274 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 153 pacientë, nga të cilët 24 janë në gjendje më të rënduar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID një qytetar nga Lezha 57-vjeç, një nga Kruja 66-vjeç, një nga Mati 66-vjeç, dy qytetarë nga Tirana 71-74 vjeç, një nga Durrësi 78-vjeçe, një qytetar nga Berati 78-vjeç, një qytetar nga Përmeti 78-vjeç dhe një qytetare nga Vlora 83-vjeçe.

Që nga shpërthimi i epidemisë me koronavirus në Shqipëri janë konfirmuar 178.188 raste pozitive, prej tyre 169.085 janë shëruar, 6.274 janë aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 2.829 pacientë.