​Besian Mustafa: Qeveria ndëshkoi pensionistët me heqjen e shtesave

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa deklaroi se Qeveria së Kosovës ka “ndëshkuar” pensionistët, stafin shëndetësor dhe institucionet e sigurisë. Sipas tij, qeveria në vend se t’iu kërkojë falje pensionistëve që pritën me orë të marrin vaksinën, ndëshkoi ata me heqjen e shtesave.

Ai gjatë interpelancës së ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi se pensionistët priten me makth që të sigurohet vaksina, e në kohën kur erdhi ajo ata u detyruan të presin me orë të gjata në rend.

“Pensionistët kosovarë, prindërit, gjyshërit dhe gjyshet tona e kanë kaluar tërë jetën në pritje. Kanë punuar dhe kanë pritur plot durim e makth të çlirohemi nga regjimi i Serbisë. Kanë punuar dhe kanë pritur plot durim të pavarësohemi dhe të njihemi si shtet i pavarur. I kanë dëgjuar dhe kanë diskutuar plot një vit, plot durim dhe makth, lajmet se moshatarët e tyre po rrezikohen më së shumti nga COVID. Disa nga shoqet dhe shokët e tyre më nuk janë në mesin e tyre, për shkak se nuk ishte një vaksinë kundërCOVID. E kur vaksina u zbulua ata kanë pritur plot durim e makth që vaksinat e zbuluara të vinin në Kosovë. Dhe kur më në fund vaksina erdhi në Kosovë, edhe pse në numër jashtëzakonisht të vogël, kjo qeveri i detyroi pensionistët kosovarë të prisnin ende”, tha ai.

Mustafa nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka shtuar se qeveria e re njëjtë ndëshkoi edhe kategoritë tjera, të cilat tash e një vit po punojnë me orar të zgjatur e shtatë ditë në javë.

Mustafa ka kërkuar nga ministri i Financave që të mos rritet borxhi publik, tatimet dhe mos ndëshkohen kategoritë e përfshira për dhënien e shtesave. Po ashtu, ka kërkuar edhe hapjen shtetit dhe ekonomisë për mërgatën, meqë sipas tij kështu do të krijohen zgjidhje afatgjate për zhvillimin ekonomik të Kosovës.