​Becker: Ende mbetët punë për transformimin e plotë të FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se synimi dhe vizioni kryesor i Kosovës është që t’i bashkohet NATO-së dhe për këtë është e rëndësishme që miqtë ndërkombëtar t’i besojnë Kosovës.

Haradinaj gjithashtu e vlerësoi rolin e Ekipit Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, ku theksoi se angazhimin e tyre e shohin si një urë të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

“Për ne është me rëndësi që të na besoni ju miqtë tanë, ne jo vetëm iu besojmë juve por iu marrim si njerëz tanë. KFOR-in e marrim si ushtri tonë. Kemi një synim dhe vizion si Kosovë që t’iu bashkangjitemi juve, familjes së juaj për këtë do të angazhohemi dhe do të punojmë. Konsiderojmë misionin e Nalt-it, si një urë të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe NATO-s”, tha kryeministri

Këto komente kryeministri i bëri gjatë ndërrimit të drejtorit të NALT –it (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s), ku u bë dhe pranim-dorëzimi i detyrës nga gjeneral brigade, Uëe A. Becker te gjenerali tjetër Michael Oberneyer.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ndau gjeneralit Becker medaljen hero i kombit “Gjergj Kastriot-Skënderbeu”.

Drejtori i deritanishëm i NALT-it, gjeneral Brigade Uëe Becker, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur me FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke vlerësuar se kjo tregon marrëdhëniet e mira që ka me Kosovën.

Ai tha se qëllimi i tyre ka qenë zhvillimi i FSK-së. Sipas tij, edhe pse është arritur shumë, mbetët punë ende për procesin e transformimit të plotë të FSK-së.

Por gjenerali Becker tha se kjo është rruga e duhur për një të ardhme më të mirë.

“Ne kemi arritur në një marrëdhënie të shkëlqyeshme pune në kuadër të mandatit tonë, që kemi pas qëllim zhvillimin e FSK-së. Edhe pse është arritur shumë, mbetët shumë për të bërë, procesi i transformimit është një punë komplekse që kërkon durim dhe angazhim, por kjo është rruga e duhur e ardhshme”, tha ai.

Kurse drejtori i emëruar, gjeneral brigade, Michael Oberneyer tha se është arritur shumë gjatë viteve të fundit dhe premtoi angazhim të madh për të progresin e mëtutjeshëm.

“Pasi FSK ka kaluar 120 ditët të periudhës së procesit të tranzicionit të FSK, ne kemi bërë vetëm 50 kilometrat e parë të martonës. Ne qëndrojmë të gatshëm për t’iu ndihmuar në këtë rrugëtim”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha shprehi falënderime për gjeneralin Becker duke e vlerësuar gjithë angazhimin e tij për zhvillimin e FSK-së.

Kurse, komandanti i FSK-së, Rrahaman Rama tha se FSK do të vazhdoi të trajnohet dhe të operojë me profesionalizëm.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it, Lorenzo Daddario tha se roli i tyre ka qenë dhe do të jetë për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e Kosovës.