​Batatina tregon nëse do ta marr drejtimin e Kombëtares së Kosovës U-21

Rezultatet jo të mira të Rafet Prekazit në krye të Kombëtares së Kosovës për grup-moshat U-21 kanë bërë që të ngriten zërat se ai mund të largohet nga posti i kryetrajnerit.

Së fundi, Kosova u mposht nga Shqipëria në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më rezultat minimal 0-1.

Tahir Batatina, shihet si njëri nga emrat që mund ta marr drejtimin e Kosova U-21 dhe këtë mundësi nuk e ka mohuar as vet trajneri aktual i Llapit.

I kontaktuar nga KosovaPress, Batatina ka thënë se nëse i ofrohet një mundësit e tillë, atëherë ai do të ndalet dhe do ta analizojë mirë situatën sepse Llapi është skuadra që ai e ka për zemër dhe se vlerësohet shumë për punën që po e bën aty.

“Për mendimin tim, duhet ta respektojmë selektorin e deritanishëm sepse e ka edhe një ndeshje dhe nuk është korrekte që ende pa e përfunduar me dal zëra që ky ose ai mundet me ardhë selektor. Mendoj se Rafeti ka shumë merita për punën e deritanishme dhe duhet të respektohet, por për ndryshime vendosin organet më të larta të FFK-së se kush duhet të jetë në krye të shpresave tona.”, deklaroi Batatina për KosovaPress.

“Nëse ata e shohin se unë mund të jap kontribut në këtë drejtim, do ta analizojë mirë sepse Llapin e kam skuadrën e zemrës time dhe jam duke u munduar ta bëjë një skuadër të fuqishme dhe kontributi im shumëvjeçarë vlerësohet lartë nga qytetarët dhe qyteti i Podujevës. Të shohim se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim.”, tha në fund Batatina.