​Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” kërkojnë përgjegjësi nga komuna për zvarritjen e punimeve

Zvarritja e punimeve në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë që u bë shqetësim për qytetarët tash e sa kohë, ka bërë që banorët e kësaj zone të protestojnë të martën para komunës.

Banorët po kritikojnë komunën për moskordinim dhe mosmenaxhim të punimeve. Gjithë kjo neglizhencë e komunarëve po iu kushton telashe qytetarëve të cilët jetojnë në këtë pjesë të kryeqytetit.

Banorëve iu ishte premtuar se punët do të përfundonin më 13 gusht, por që kjo është larg realizimit.

Organizatori i protestës, Dren Shahini tha se gjitha punimet që po bëhen në këtë rrugë janë pa siguri e që çdo ditë rrezikon jetën e çdo njërit që kalon aty.

“Nuk ka as koordinim, nuk ka as mbikëqyrje. Ne shprehim revoltë dhe indinjatë sepse i kemi parë projektet e juaja si në ‘Pejton’ dhe në rrugën e ‘Llapit’ sa kanë zgjatur. Edhe e dimë dhe jemi të bindur dhe pas dy muajve prapë do të duhet të pritet rruga. A e dini si i keni lënë kabllot nëntokësore, dhe që janë rreziku për ne. Nëse duhet të ndërrohet një kabllo atëherë do të duhet të hapet krejtësisht rrugës, e krejt këto do të duhet të ishin pjesë e planit menaxhues tuaj dhe jo ne të vijmë dhe tua rikujtojmë. Ju keni pritu të vini të bëni ecje me ne dhe të shini çka krijohet aty, zhurma akustike që krijohet prej punimeve. A e dini që krejt punimet që po zhvillohen janë pa një siguri minimale, duhet me ec për mbi kabllo e gropa që i hapin punëkryesit për me dalë në anën tjetër të rrugës sepse diku duhet me ec, me shku në banesë, duhet edhe ne me jetu dhe aty jetohet përditshëm, dhe jo veç kur të përfundon rruga. Jemi lagjja me kontribut dhënës në buxhetin vetanake. Taksat që i vjedhni si prej ndërtuesve, si prej neve janë më të larta prej ndonjë lagje që i merrni e në fund të mandatit keni vendos me na i kthy me një projekt të cilin po na e nxerrni për hunësh”, tha Shahini.

Para banorëve protestues doli drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti i cili i ftoi për takim ballë për ballë, gjersa shtoi se dështon që të përfundojnë punët për ngrohjen qendrore.

“Zgjidhja të cilën unë e preferoj është ta përfundojmë nxemjen, të përfundohen ndërtimet e instalacionet në rrugë, nuk jam i kënaqur nga puna e operatorëve ekonomik, edhe nëse jemi te varur nga ta. Zgjidhja e dytë është me i ndalë nxemjet qendrore, dhe brenda tri javësh të përfundohen instilacionet”, tha ai.

Në takimin që u zhvillua brenda objektit të komunës, Shahini ritheksoi që aty ishte për të folur për problemin me rrugën.

“Kam ardhur të flas për Muharrem Fejza, jo për 200 e 500 metra. Përse në fillim nuk keni bërë të punohet vetëm në 200 metra, e kur të përfundohet me e nisë me 500 metra? Nën dy, t’i kam dërguar fotot ku shihen si janë varrosur kabllot të cilat janë varrosur pa kanalizim, ato kabllot kurrë nuk kemi me mujt me i ndërru. Afati i përmbushjes është 13 gusht, afati i përmbushjes totale[…]vetëm dëshirojmë liri të lëvizjes, jo me na u dëmtu automjetet, edhe me u përfunduar ndërtimet”, tha Shahini.

Ndërkohë që Mehmeti paraqiti dy mundësi për këtë, por që tha se lagjja më pas mbetet për 15-20 vitet e ardhshme pa ngrohje.

“Une po ju tregoj nga kompetenca e drejtorit të investimeve kapitale menaxhimit të kontratave i kemi dy mundësi, është një mundësi me ja u ndërpre komplet operatorët ekonomik të cilët nuk janë pjesë e komunës që nuk kanë kontratë me komunën, ‘Termokosit’, ‘KEDS’-it këtë rast edhe kompanitë publike që bëjnë zgjerimin e rrjetit të internetit ata mundem me bo do të thotë është zgjidhja më e lehtë për mu nëse sot unë jap urdhër të pezullohen lejet e punës i tregojmë inspeksionit, inspeksioni del dhe e inspekton punën dhe ata tërhiqen prej punishtes, që do të thotë lagjja jetë për 15-20 vitet e ardhme pa ngrohje,” deklaron Mehmeti.

Kurse, Arbene Abrashi, qytetare e kësaj rruge tha se fillimisht është shpallur fituesi e më pas kanë bërë koordinim me operatorë të tjerë

“Kur e keni shpallur kontratorët ju nuk keni pas absolut një far koordinimi të punëve. Tash ju po na bini neve thu se ne duhet me vendos,” shton ajo.