​Banorët e “Matit 1” dalin me kërkesa për Shpend Ahmetin

Banorët e lagjes “Mati 1” protestuan sot në shenjë revolte ndaj Komunës së Prishtinës, e cila tash e sa vjet po neglizhon kërkesat e tyre. Ata me këtë rast dolën edhe me kërkesat e tyre, ndërsa paralajmëruan se protestat e ardhshme do të mbahen edhe para vetë objektit të Komunës së Prishtinës.

Protestuesit me parullat “Edhe ne kemi votuar në Prishtinë”, “Buxheti preje neve, investimet ku janë”, “Pluhuri vret”, “Zotohu për zotimet” dhe shumë të tjera, për gjysmë ore protestuan ndaj neglizhencës së Komunës së Prishtinës, e cila ka anashkaluar problemet e përditshmërisë me të cilat ata përballen.

Organizatori i protestës Dren Shahini ka specifikuar kërkesat urgjente të banorëve të kësaj lagje, siç janë ndriçimi i rrugës, lirimi i trotuareve për lëvizje, largimi i telave të rrymës që rrezikojnë jetën e banorëve, mbylljen e përroit dhe mirëmbajtjen e rrugës nga kompanitë përgjegjëse.

Ai theksoi se tash e sa vite banorët e kësaj lagje kanë kërkuar ndërmarrjen e masave nga ana e komunës së Prishtinës, lidhur me zgjidhjen e këtyre problemeve me të cilat ata përballen, por ato kanë hasur në vesh të shurdhër.

Shahini i ka bërë thirrje kryetarit Shpend Ahemti dhe Komunës së Prishtinës që të takojë banorët e kësaj lagjeje me qëllim të zgjidhjes së problemeve.

“Kryetari me statutin e komunës së Prishtinës, me përgjegjësitë që dalin prej atij statuti, besoni ose jo, kemi të drejtë çdo ditë t’ia ngremë nga një kallëzim penal për shkak të mos zbatueshmërisë së përgjegjësive të veta, të cilat i ka”, ka thënë ai.

Organizatorët thanë se protesta e sotme është hapi i fundit në këtë formë dhe në këtë vend, ngase protestat e radhës do të mbahen para objektit të komunës.