​Avokati i popullit: Nuk është shkel ligji për përzgjedhjen e zëvendësavokatëve

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, sot është shqyrtuar propozim-vendimi i Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje tha se në këtë komision kanë arrit shtatë ankesa, siç theksoi ajo kanë bazë nga procesi i aplikimit e deri në finalizim të përzgjedhjes.

Ankuesit për këto pozita janë: Edona Hajrullahu, Mehdi Geci, Arbnor Murturi, Besiana Zuka, Fatlume Deliu, Ibrahim Asllani dhe Flaka Braha.

Deputetja Balje është shprehur e habitur për këtë, siç tha ajo nuk kishte besuar që në këtë institucion për mbrojtje të të drejtave të njeriut, do të kishte shkelje të ligjit.

“Ne si komision kemi shqyrtuar ankesat, por kemi menduar se është që t’iu ftojmë edhe juve për se ju jeni institucion për të drejtat e njeriut , dhe ne si Komision kemi menduar se nuk ka arsyetim pse ju me shkel të drejtat, sepse ne bashkë me juve jemi për me i trajtuar të drejtat. Në fakt pyetja ime e parë është e keni respektuar ligjin për avokatin e popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve prej momentit kur keni hapur konkursin deri në momentin e fundit”, ka pyetur Balje.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj gjatë raportimit për këtë komision, vlerësoi se parashtrimi i pyetjeve nga kryetarja e komisionit janë në mënyrë sugjestive.

Qelaj tha se të gjithë janë trajtuar të barabartë dhe njësoi dhe vlerësoi se procesi i përzgjedhjes së zëvendësavokatëve ka qenë më i miri në këtë institucion duke shtuar se ka respektuar dispozitat ligjore kushtetuese dhe të Avokatit të Popullit.

“Institucioni i Avokatit të popullit është ndër institucionet më të besueshme në vend, vet parashtrimi i pyetjes në formë sugjestive për mua cenon pavarësinë dhe rolin që e ka Institucioni Avokatit të popullit. Mundem me thënë me bindje që në këtë proces nuk ka pasur ndërhyrje, ka qenë procesi më i lehtë për mua me zbatuar, sepse më ka ndihmuar komisioni profesional, por edhe transparenca prej fillimit deri në fund dhe monitorimi nga organizata shumë kredibile. Këtë proces e ka mbikëqyrë zyra e BE-së, OSBE, dhe një përfaqësues i shoqërisë civile”, tha ai.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci ka kërkuar të dijë nëse zëvendës Avokatët e Popullit kanë qenë të njoftuar për hapjen e konkursit.

“Për neve është më rëndësi me trajtuar secilën ankesë që vjen, por për me marrë një vendim si komision është me rëndësi që me bërë arsyetimin në bazë të dokumentacionit që ndërlidhen me ligjet përkatëse”, theksoi ajo.

Duke iu përgjigjur deputetëve të këtij komisioni, avokati Qelaj tha se disa prej këtyre që kanë parashtruar ankesë nuk kanë përmbushur kriteret për përvojën e punës, ndërsa sipas tij, në mesin e tyre ka edhe që kanë qenë të dënuar.