​Avokati i Aganit: Ky rast paraqet drejtësinë selektive

Pas vendimit për dënim prej dy viteve e gjashtë muaj burg për ish ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, ka reaguar, avokati i këtij të fundit Adem Vokshi. Ai para gazetarëve tha se ky vendim është befasues dhe i papritur, pasi siç konsideron avokati gjitha provat kanë dëshmuar se në veprën që akuzohet Agani nuk ka asnjë element të veprës penale.

Ndërsa këtë aktvendim të gjykatës e cilësoi si drejtësi selektive.Avokati Vokshi u shpreh se pavarësisht të gjithave ka pritur që gjyqtarja në bazë të provave do të shpallet aktvendim lirues për ish ministrin Ferid Agani.

“Nuk ka elemente të veprës penale, për këtë arsye është i habitshëm vendimi i gjykatës.
Jo për dënimin, por thjesht për shpalljen fajtor të akuzuarve. Kjo është habia më e madhe. Unë me të vërtet kam pritë një vendim definitivisht lirues nga ana e gjykatës. Kam pritë para se me dhënë fjala përfundimtare që prokurorja do të heq dorë nga vepra penale. Pas shqyrtimit gjyqësor, pas gjithë atyre provave të administruar. Fundi fundi cilat prova janë administruar kur kjo veprimtari e këtyre të akuzuarave kur u shpallen fajtor me ligj është e përcaktuar se si duhet vepruar. Në tërësi në harmoni me gjitha dispozitat ligjore dhe cila është arsyeja që ata me u shpall fajtor”, tha ai.

Avokati Vokshi gjithashtu, bëri të ditur se këtë vendim do të kontestojnë në Gjykatën e Apelit dhe tha se ka besim do të kthehet në rishqyrtim.
“Në Gjykatën e Apelit ky vendim nuk do të kaloj fare. Nëse nuk e prish Gjykata e Apelit për me kthyer lëndën në rishqyrtim me siguri do të ndryshoj dhe do t’i liroj nga përgjegjësia penale”, deklaroi ai.Shpalljen fajtor të klientit të tij ai e cilësoi si drejtësi selektive, pasi siç konsideron avokati në këtë formë kanë vepruar dhe veprojnë ministra të tjerë të shëndetësisë

“Nuk është drejtësi selektive kur ministrat para këtij kanë vepruar njësoj dhe nuk përgjigjen. Kur ministrat mbas këtij veprojnë njësoj dhe nuk përgjigjet askush nuk është kjo selektive”, u shpreh avokati Vokshi.Bashkë me ministrin Agani është dënuar dhe ish sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Gani Shabani, me 2 vjet burg pasi janë gjetur fajtorë sot për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stentat’.Ish ministri Ferid Agani dhe ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzoheshin në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Të akuzuar për ketë rast janë mbi 50 persona mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish ministrit dhe ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.