​Avdullah Hoti ‘selam’ Albin Kurtit: Kujdesu për shtëpinë tënde

Deputeti i LDK-së dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hoti, duke folur në lidhje me arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe LVV-së, ka rikujtuar se në fund të dhjetorit besimi është lëkundur shumë mes dy partive.

Në një intervistë për RTV 21, Hoti ka theksuar se në datën e 26 dhjetorit, kur Konjufca u zgjodh kryeparlamentar, i tërë procesi është kthyer në pikën zero dhe sipas tij veprimi i LVV-së ka bërë të kujtojnë se duan të shkojnë të vetëm në proceset tjera.

Lidhur me kërkesën e Kurtit që LDK ta dërgojë kërkesën e LVV-së në Këshillin e Përgjithshëm, Hoti ka theksuar se “Kurti le të kujdeset për shtëpinë e vet, ne nuk dakordohemi në Këshillin e Përgjithshëm çka t’i teket Albinit”.  

Hoti ka theksuar se nuk ka arsye të vonohet themelimi i institucioneve dhe sipas tij, po që se LVV pajtohet me kushtet e LDK-së, marrëveshja mund të nënshkruhet për disa minuta, pasi për të gjitha çështjet programore dhe çështja e dialogut janë pajtuar.  

“Nëse dështon marrëveshja LVV – LDK dhe nëse një qeveri të pakicës LVV e sjell në Kuvend, ne do të ulemi dhe do ta shqyrtojmë mundësinë se në çfarë kushte do të mund ta mbështesim”, tha ai.

Ai ka thënë nëse se buxheti i vitit 2020 nuk miratohet deri më 31 mars, do të ndalen të gjitha pagesat nga buxheti i shtetit dhe ka shtuar se buxhetin e sjell në Kuvend vetëm Qeveria e re.