​Asamblistët e VV-së përplasen me Shpend Ahmetin për buxhetin 2020

Kuvendi komunal i Prishtinës ka miratuar sot buxhetin e komunës mbi 91 milionë euro për vitin 2020 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore për periudhën 2020-2022.

Këtë vit, kjo komunë do të ketë buxhetin më të madh për rreth 11 milionë euro, mjete këto të cilat i ka përfituar nga Ligji për Prishtinën.

Pas kundërshtimeve të shumta, kryesisht nga partitë e opozitës, propozim vendimi për buxhetin pësoi disa ndryshime në marrëveshje me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ndonëse seanca u shfrytëzua edhe për fushatë zgjedhore.

Asamblisti i Vetëvendosje, Eman Rrahmani pati një përplasje verbale me kryetarin Ahmeti, ku të dytë shfrytëzuan foltoret e tyre për fushatë zgjedhore, edhe pse ndërhyri kryesuesi i Kuvendit, Agim Kuleta.

Kryetari Shpend Ahmeti që gjendet në listën zgjedhore, iu përgjigj asamblistit Rrahmani, duke i thënë se e ka parë programin e Albin Kurtit për qeverisje të vendit, por shtoi se Kosova nuk është Gjermani.

Ahmeti tha se duhet me i pas 200 milionë euro për t’i realizuar të gjitha kërkesat e asamblistëve dhe qytetarëve të Prishtinës, edhe pse janë të qëndrueshme.

Ndërsa, asamblisti Agim Gashi në emër të LDK, pati vërejtje për shpërndarjen e buxhetit të vitit 2020, i cili kërkoi të bëhet rishikimi shpërndarjes, sepse sipas tij, shpërndarja është bërë pa koordinimin ose bashkëpunimin e opozitës në këtë asamble.

Gashi ka kërkuar të futen në buxhet projektet për ujë të pijes dhe ujëra të zeza për fshatrat e Gollakut, për çka është pranuar kërkesa e tij me ndryshimet buxhetore.

Sipas tij, nga të hyrat vetanake nuk ka ndonjë lëvizje dhe nuk janë në përputhje me kornizën afatmesme.

Asamblisti Egzon Azemi nga VV, tha se nuk janë marrë parasysh kërkesat e qytetarëve dhe nuk janë organizuar debate publike për buxhetin 2020, ndërsa shtoi se kryetari Shpend Ahmeti është marrë vetëm me fushatë dhe me gënjeshtra.

Leutrim Retkoceri nga PDK duke theksuar se nuk e përkrah buxhetin e propozuar, tha se buxheti 2020 mbetet tradicional, por fatkeqësisht nuk është buxhet me prioritetet për qytetarët, ngase sikurse sivjet që nuk është ndërtuar asnjë shkollë, as në vitin 2020 as dy shkolla nuk do të ndërtohen.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka arsyetuar se planifikimi i të hyrave komunale është përcaktuar nga Qeveria qendrore, sipas të cilit, janë kufijtë përcaktues nga Ministria e Financave, ndërsa për mallra dhe shërbime sipas Ahmetit ka ngritje të shpenzimeve mbi 1 milion euro.

Sipas tij, 2. 5 milionë euro janë paraparë me këtë buxhet për ndërtimin e tunelit në rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa, pas kërkesës së asamblistëve të LDK për ujësjellësin, 500 mijë euro nga ky projekt do të barten për ujësjellësin e fshatrave të Gollakut.

Kryetari pranoi se 19 fshatra të komunës së Prishtinës, nuk kanë furnizim me ujë të pijes dhe shprehu gatishmërinë që me bartje të mjeteve të bëhet zgjidhje për ujin e pijes edhe në Gollak dhe pjesë të tjera.

Ndërsa, ndër pikat e rendit të ditës është shqyrtuar edhe propozimvendimi për caktimin e lokacionit për ngritien e bustit të senatorit amerikan Robert Doll.

loading…