​Ardian Gjini: Kosova nuk varet nga 10 votat e Listës Serbe

Nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini ka folur rreth arsyeve të kësaj partie për të qenë pjesë e koalicionit të ri qeverisës.

Ai në emisionin Debat Plus ka thënë se nuk kanë “gjetur asnjë arsye që të mos hyjnë në qeveri të re”, pavarësisht Listës Serbe.

“Kosova nuk varet nga Lista Serbe. Kosova varet nga partitë e saja shqiptare. Kështu që nuk duhet brengosur se Qeveria e Kosovës varet nga dhjetë votat e Listës Serbe”, tha Ardian Gjini.

Nënkryetari tjetër i AAK-së Muharrem Nitaj ka thënë se Kosova është më mirë të ketë një qeveri të thjeshtë se sa një qeveri të shkarkuar me dy të tretat e votave në Kuvend.

“Ne kemi lidhur koalicion me LDK-në duke qenë të bindur se gjërat që na bashkojnë me këtë parti janë më shumë se ato që na ndajnë”, ka thënë Nitaj.

Nëse formohet qeveria e re, AAK-ja do të udhëheqë me katër ministri dhe me zëvendëskryeministrin e parë. Besnik Tahiri do të jetë zëvendëskryeministër i parë, Selim Selimi do të jetë ministër i Drejtësisë, Meliza Haradinaj, ministre e Jashtme, Ramë Likaj, ministër i Arsimit dhe Blerim Kuçi, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Sipas Nitaj, dalja me emra të ri për ministra tregon për një frymë të re në këtë parti dhe se bëhet fjalë për njerëz me ekspertizë.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar Avdullah Hotin mandatar për formimin e qeverisë së re, ndërkohë pritet vendimi përfundimtar i Kushtetueses lidhur me këtë çështje, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila veprimin e kreut të vendit e ka quajtur antikushtetues.