​Apostolova paralajmëron ndihmë prej 160 milionë eurove për Kosovën

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se BE mund t’i ndajë Kosovës 160 milionë euro ndihmë në luftën kundër COVID-19 në dy deri gjashtë muajt e ardhshëm në mbështetje të sektorit privat, atij bujqësor dhe me qëllim të zbutjes së varfërisë.

Në një postim në Twitter, Apostolova ka thënë se pasi ka biseduar me ministren në detyrë të Ekonomisë Rozeta Hajdari, dhe ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, fondet mund të ndahen përmes asistencës makro-financiare dhe granteve nga Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA).

BE më herët ka ndarë 5 milionë euro për Kosovën, në luftën kundër COVID-19, nga i cili deri më tash janë konfirmuar 145 raste, prej tyre 23 të shëruar dhe tre të vdekur.