​Aparati i radioterapisë në defekt, pacientët me kancer mbesin pa shërbime

Këtë e ka konfirmuar edhe vet drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi. Ai pohon se tash e tri ditë është prishur ky aparat, por thekson se janë në procedurë të instalimit të aparaturës së re të rrezatimit. Për të njëjtën thotë se ka marrë kohë, por zotohet se deri në fund të prillit kjo aparaturë do të instalohet.

“Kemi pasur këto tre-katër ditët e fundit një defekt me aparaturë, e cila është aparaturë e vjetër 2007. Krahas kësaj është duke u instaluar edhe aparati i ri, i cili e rrit kualitetin e trajtimit me rreze. Kjo aparaturë e cila ka qenë, është defekt, shpresojmë që nesër të rregullohet dhe pacientët të vazhdojnë trajtimin”, deklaron ai.

Derisa për aparatin e vjetër thotë se mund të rregullohet nesër, ai pret që brenda muajit të instalohet i riu.

“Ne shpresojmë që nga fillimi i muajit maj, pacientët tanë do të jenë shumë më mirë të mjekuar me rreze. Kualiteti i shërbimeve do të jetë shumë më i mirë edhe nuk do të ketë as më vonesa dhe as prishje të aparaturës. Dhe pa pengesa sepse na kanë ndodhur në këto pesë-gjashtë vjetët e fundit”, shprehet ai.

Aparati i cili pritet të instalohet në fillim të muajit, ishte planifikuar për vitin e kaluar. Për këtë, udhëheqësi i Onkologjisë thotë për KosovaPress se ka qenë procedura tenderuese dhe se buxheti ishte i orientuar diku tjetër.

 “Pajisja ka qenë në procedura tenderuese. Ne kemi punuar deri para një muaji, dy muaj me dy aparatura të cilat kanë qenë. Kërkesat i kemi bërë shtesë edhe për një aparaturë të re. Por, problemet që kanë ndodhur edhe me COVID vitin e kaluar dhe është orientuar buxheti diku tjetër… Buxheti do të thotë, sidomos vitin e kaluar ka qenë një vullnet që të marrim edhe një aparaturë të re. Shpresojmë që këtë vit Ministria e Shëndetësisë na suporton që edhe aparaturën e vjetër që e kemi ta zëvendësojmë brenda këtij viti… Është paraparë për vitin e kaluar, por janë realizuar procese tenderuese edhe aparatura shpresojmë të instalohet këtë vit”, shton ai për KosovaPress.

I pyetur se si ndikon ndërprerje e marrjes së kësaj terapie te pacientët, drejtori i Onkologjisë thekson se seancat do të vazhdohen pastaj.

Shërbimi i rrezatimit të Radioterapisë, në QKUK, është falas për të gjithë qytetarët.

Aparati i Radioterapisë do të duhej të kryente deri në 70 rrezatime në ditë. Gjatë vitit të kaluar, 1370 raste të reja janë regjistruar me kancer. Numri i atyre që kanë qenë të infektuar me COVID-19, ishte rreth 350 raste.