​Anëtari i presidencës së Bosnjës: Kosova është shtet i pavarur

Anëtari i presidencës së Bosnje Hercegovinës, Zhelko Komshiq ka deklaruar se pavarësisht a ekziston njohja e ndërsjellë në mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës, kjo punë është fakt i kryer.

“Siç qëndrojnë tani punët, duhet të presim, edhe pse unë nuk kam dilema se Kosova është shtet i pavarur”, ka thënë Komshiq për televizionin publik të Kosovës.

Në pyetjen se a ka dakordim për këtë në Bosnjë, Komshiq është përgjigjur se “Nuk kam dakordim për këtë, por kam të drejtë të kem qëndrim timin. Unë nuk do të flas gjithmonë atë që është e dakorduar, për shkak se ne jemi tre në Presidencën e BeH, nuk do të thotë se më duhet autorizimi i Presidencës për të thënë diçka. Në veprimet e mia diplomatike duhet t’u përmbahem disa rregullave të cilat vlejnë në BeH. E përsërisë, për mua Kosova është shtet i pavarur! Kjo tashmë është punë e kryer, vetëm është çështje e momentit kur do ta pranojnë të tjerët në rajon”.

Ndërsa sa i përket një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, Komshiqi ka thënë se “gjithë ajo që po ndodh me Kosovën, posaçërisht bisedimet mes Beogradit e Prishtinës, janë çështje e marrëveshjeve të tyre”.

“Por për çfarëdo që ata bien dakord, nuk mund të jetë precedant për zgjidhjen e problemeve, siç thuhet në Ballkanin Perëndimor e posaçërisht në Bosnje Hercegovinë”, ka thënë Komshiqi.