​Ambasada e Kosovës në Itali me njoftim të rëndësishëm për bashkatdhetarët

Ambasada e Kosovës në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano kanë kryer procesin e mbledhjes dhe dërgimit të listave/kërkesave pranë institucioneve përkatëse në Prishtinë në lidhje me bashkatdhetarët me banim/qëndrim në Itali, e të cilët dëshirojnë të kthehen në Kosovë.

Në një njoftim në Facebook thuhet se janë në pritje të autorizimit për organizimin e fluturimit Itali-Kosovë brenda muajit maj.

“Detajet si data, aeroporti/qyteti i nisjes dhe orari do të publikohen së shpejti në ueb faqen tonë dhe në platformat tona të rrjeteve sociale”, ka shkruar Ambasada e Kosovës në Itali.

Postimi i plotë:

Të nderuar bashkatdhetarë, lidhur me procesin e riatdhesimit të shtetasve tonë me banim/qëndrim në Itali drejt Kosovës, ju informojmë se Ambasada e RKS në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano kanë kryer sipas procedurave përkatëse ligjore të gjithë procesin e mbledhjes dhe dërgimit të listave/kërkesave pranë institucioneve/autoriteteve përkatëse në Prishtinë, të cilët kanë kompetencë ekskluzive për adresimin e tyre, sipas rasteve emergjente dhe disponibiliteteve logjistike të strukturave të destinuara për karantinimin e detyrueshëm që parashikohet me ligj.

Aktualisht, ju informojmë se jemi në pritje të autorizimit për organizimin e fluturimit Itali-Kosovë, i cili do të realizohet brenda muajit maj 2020, detajet si data, aeroporti/qyteti i nisjes dhe orari do të publikohen së shpejti në ueb faqen tonë dhe në platformat tona të rrjeteve sociale.

Faleminderit për mirëkuptimin.