​Ambasada Amerikane për helmimin në Deçan: Injoroni thashethemet, prisni faktet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar pas helmimit të mbi 1 mijë qytetarëve në Deçan.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se mendimet e tyre janë me qytetarët që janë nëpër urgjenca shëndetësore, teksa kanë bërë lutje që të injorohen thashethemet rreth helmimit, dhe të priten faktet.

“Mendimet tona janë me ata që vuajnë nga urgjenca shëndetësore në Deçan. Megjithëse do të kryhen më shumë teste, Ministria e Shëndetësisë beson se bakteret janë shkaku i mundshëm i simptomave. Gazetarët, qytetarët injoroni thashethemet. Prisni për fakte”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (ISHPK) njoftoi sot se pas analizave të kryera janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Në komunikatën e IKSHPK, thuhej se “në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.