​Ali Ahmeti uron Edi Ramën për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka uruar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama për fitore e radhës në zgjedhjet e parlamentare.

Në urimin e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti ka shprehur bindjen e tij se kryeministri Rama do të vazhdojë të punojë me sukses edhe gjatë qeverisjes së re katërvjeçare.

“Vëllazërisht dhe zemër plotë të uroj për fitoren e madhe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Populli gjithmonë ka të drejtë dhe këtë përgjegjësi që ta ka veshur supeve, unë kam bindjen e plotë, se ti do ta bartësh krenar, kryelartë dhe faqebardhë, siç është vetë Shqipëria.

Jam pranë teje dhe shqiptarëve, bashkudhëtar i rrugës sonë të përbashkët për t’i bërë bashkë shqiptarët në Evropën e bashkuar dhe të barabartë me të gjithë të tjerët.

Edi, ke qenë pranë në kohë të mira e në kohë të vështira, ke prirë dhe gjithnjë ke shtruar dorë bashkëpunimi dhe unë të jam mirënjohës dhe do më kesh pranë, hap pas hapi, vendim pas vendimi, sukses pas suksesi. Paç shëndetin e të priftë e mbara, ty e Shqipërisë sonë”, thuhet në urim.

Ndryshe, derisa numërimi po arrin fundin, PS kryeson me 738,820 vota, e pasuar nga PD-AN me 598,641, LSI deri më tani ka marrë 104,106 vota, kurse PSD 34,328 vota. PS ka 74 mandate, ndërsa PD 59 mandate, LSI 4 dhe PSD 3 mandate.