​Ali Ahmeti: Kur do të ndalet gjahu ndaj luftëtarëve, i mbështjellë me propagandë e shpifje?

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka kërkuar ndaljen e propagandës dhe shpifjeve ndaj luftës çlirimtare të Kosovës, duke porositur se lufta çlirimtare do të ngadhënjejë gjithmonë dhe se rrugën e Kosovës dhe të popullit shqiptar nuk e ndalon asnjë ndërhyrje.

Në një postim në Facebook, Aliu ka reaguar ndaj inicimit të Speciales për aktakuzë kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte.

Postimi i plotë:

E kur bëhet mjaft?! Kur do të ndalet ky gjah ndaj luftëtarëve i mbështjellë me shpifje, propagandë, përndjekje dhe denoncime politike?

Aq shumë misione, gjykata e prokurori kaluan dhe vepruan gjatë këtyre 22 viteve, aq shumë procese e zhvilluan, sa që u devalvua besimi në këto përndjekje periodike dhe në momente kyçe për Kosovën dhe rajonin.

Lufta çlirimtare gjithmonë ngadhënjen, ndërsa rrugën e Kosovës dhe të popullit shqiptar nuk e ndalon asnjë ndërhyrje.