​Aktakuzë për rastin e vdekjes tragjike të dy të rinjve në Autostradën “Ibrahim Rugova”

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Sh.S., M.M. dhe B.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm sipas Kodit Penal të Kosovës.

Sipas aktakuzës, më datë 29.06.2019 pas mesnatës në Autostradën “ Ibrahim Rugova “ tek ura, në afërsi të fshatit Sllapuzhan – Komuna e Suharekës, të akuzuarit nga pakujdesia shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve e që ka rezultuar me vdekjen e dy personave.Të pandehurit, si vozitës dhe punëtorë të kompanisë “Sharr Travel”, ndalin autobusët në vendin kritik, për të bërë shkëmbimin e telefonave mobilë dhe disa lista të udhëtarëve.

Fillimisht ndalet i pandehuri Sh.S., i cili ishte nisur nga Prishtina në drejtim të Shqipërisë, ndërsa i pandehuri B.B., ndalet nga ana e kundërt. I pari nga autobusi i të pandehurit Sh.S., del i ndjeri G.G., për ta trupuar trasenë, ku bie poshtë.

Në ndërkohë, vjen me autobus nga kahja e njëjtë i pandehuri M.M., ku nga autobusi del i ndjeri A.B., ku bie poshtë urës në hapësirën e pa mbuluar në mes të dy kaheve që ndajnë autostradën. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

loading…