​Abazoviq promovon në Tiranë librin e tij “Kritika e Etikës Globale”

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka mbërritur këtë të premte në Tiranë, ku ka promovuar librin e tij “Kritika e Etikës Globale”, ku i pranishëm ka qenë dhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit, në fjalën e tij, deklaroi se Abazoviç është një fenomen në politikën ballkanike dhe i pakrahasueshëm me askënd

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në promovimin e librit të kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviq në Tiranë ka vlerësuar këtë të fundit si një mik të cilin e ka cilësuar si fenomen në politikën ballkanike. Sipas Ramës, Abazoviq është një fenomen dhe se ka krijuar një hapësirë ku pavarësisht përkatësisë etnike njerëzit bashkohen si qytetarët të të njëjtit vend.

Duke e konsideruar një privilegj miqësinë me Abazoviq, kreu i qeverisë e ka uruar homologun e tij dhe e ka inkurajuar të vijojë të jetë garant i urës për vendet e rajonit dhe të shohë mbi ndasitë politike, sociale e akademike.

“Është një privilegj të jesh mik me një person i cili është një fenomen në politikën ballkanike dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër. Ka krijuar një hapësirë ku pavarësisht përkatësisë etnike njerëzit bashkohen si qytetarët të të njëjtit vend. Dritani përputh përmes veprimit, sensin e tij etik ndaj problemeve të shoqërisë dhe të ardhmes, duke u ngritur me shumë guxim përmbi ndasitë dhe duke ndërtuar një urë. Abaz unë të uroj nga zemra që ti të vazhdosh të mbetesh garanti i urës, dhe ura të bëhet gjithnjë e më e gjerë dhe të rrezatojë jo vetëm elektoralisht sepse kjo është ajo çka është më e pakta, por të rrezatojnë rajonalisht si një pasqyrë ku të tjerët të gjejnë veten për të ndërtuar ura, qofshin lëvizje politike, sociale, akademike, por të krijojnë mundësitë që njerëz të cilët janë dënuar nga historia, të mund ta shikojnë njëri-tjetrin si njerëz, si bashkëqytetar apo bashkëjetues”, tha Rama./rtsh.al