​A do ta mbajë Kosova vendimin për taksën edhe pas zgjedhjeve ?

Vendet e Quint-it përmes një letre të përbashkët kanë deklaruar se “status quo”, pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe nuk është e qëndrueshme.

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ditë më parë, u kanë bërë thirrje dy vendeve që menjëherë të rifillojnë dialogun dhe të shmangin veprimet që pengojnë marrëveshjen përfundimtare.

Sipas letrës së vendeve të Quint-it, Kosova duhet të heq taksën ndaj Serbisë dhe kjo e fundit duhet të ndërpresë fushatën kundër Kosovës, për heqje të njohjeve.

Kjo sipas tyre me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, në mënyrë që pas saj do të arrihej integrim më i madh euroatlantik për të dy vendet.

Pas kësaj ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se pajtohet me nevojën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por që dialogu nuk duhet të kushtëzohet.

Ndërsa për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, shqetësimet e vendeve të Quint-it janë të arsyeshme.
Kadri Veseli, i cili drejton Partinë Demokratike të Kosovës, ditë më parë në një intervistë për KosovaPress, tha se në zgjedhjet që do të mbahen, qytetarët do të vendosin a duan të vazhdojnë rrugën e partneritetit të sigurt me aleatët perëndimorë apo duan që vendi të mbetet i izoluar dhe pa miq.

Aktualisht, Kosova ka një kryeministër i cili javë më parë ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, dhe se partitë politike janë deklaruar për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kuvendi pritet të mbajë seancë javën që vjen dhe të votojë shpërndarjen e Parlamentit, në mënyrë që t’i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, thonë se taksën do ta kishin trajtuar në interes të funksionit të Kosovës, dhe jo të individit, mënyrë kjo që sipas tyre është përdorur nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.Arben Gashi thotë se taksa sot shihet në interes të kapitalizmit politik për Haradinajt apo partnerët e koalicionit qeverisës.

Ai shton se LDK ka qenë çdoherë për dialog, por që sipas tij në rrethanat aktuale në të cilat gjendet Kosova, dialogu nuk ka alternativë.

Edhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se në këto rrethana nuk mund të riniset dialogu me Serbinë.Ai thotë se Vetëvendosje e ka mbështetur taksën e vendosur nga Qeveria Haradinaj, ani pse konsiderojnë që vendim më i drejtë do të ishte reciprociteti i plotë ekonomik, politik, tregtar.E analisti Ramush Tahiri thotë se në rrethanat aktuale në Kosovë, kur po pritet të mbahen zgjedhjet, do të jetë vështirë që një parti politike të kërkojë heqjen e taksës dhe të marrë vota.

Ndërsa Artan Murati nga KDI, duke folur për deklaratën e vendeve të QUINT-it, thotë se ata ishin të qartë në kërkesën e tyre, që Kosova, pavarësisht a shkon në zgjedhje apo jo, duhet të ketë prioritet dialogun.

Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar pas vendimit që Qeveria e Kosovës ka marrë ndaj Serbisë, duke i vendosur taksë 100%. E kjo ka ardhur pas fushatës që shteti i Serbisë e ka bërë kundër Kosovës në fushën e politikës së jashtme.

Tutje, Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqje të taksës, ndërkohë që kryeministri Ramush Hradinaj ka deklaruar në vazhdimësi që taksa do të mbetët derisa Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës./KosovaPress/

loading…