​1 vit nga themelimi i PSD-së, Gorani thotë se ishte vit i sfidave dhe krizave

Kosova vazhdon të ndodhet në një udhëkryq, e përcjellur me një vit të krizave qeveritare e i ngërçeve parlamentare.

Për më tepër, Kosova po përballet me dallime të mëdha sociale.

Kështu u tha në 1- vjetorin e themelimit të Partisë Socialdemokrate, ku deputeti Dukagjin Gorani, tha se në kohën e ndasive sociale PSD është e angazhuar që të promovojë arsyeshmërinë në veprim dhe kreativitetin në mendim. Sipas tij, kjo është një rrugë e gjatë për të gjithë, pasi vendi vazhdon që të jetë në një udhëkryq.

“Sot e shënojmë një vit prej se PSD është themeluar si një subjekt. Për të gjithë ne ishte një vit i sfidave shoqërore, kolektive e sociale. Ishte një vit i krizave qeveritare dhe i ngërçeve parlamentare. Ishte vit i thellimeve të ndasive dhe i armiqësimeve grupore e ndërpartiake. Më shumë e më shpesh se kurrë me parë në këto 20 vjet, ky vit u përkufizua me mungesë të tolerancës politike, llogaridhënies institucionale dhe të arsyeshmerisë konstruktive politike”, tha ai.

Ai tha se shteti është pasqyrë e nivelit të vetëdijes për bashkëpunim, trajtim të barabartë e respekt për njëri – tjetrin. E deputetja Shqipe Pantina, tha se dy shembujt më të mirë të angazhimit të PSD-së janë dy komunat në të cilat qeverisë PSD-ja, në Prishtinë dhe Kamenicë. Ajo tha se PSD ka promovuar edhe transparencën, duke bërë që komuna e Prishtinës të marrë 100 pikë për transparencën. Ndër sukseset e PSD-së, Pantina renditi edhe hapjen e 17 degëve të këtij subjekti politik, për çka u shpreh se është vetëm fillimi. Nesër më 9 maj, duke filluar nga ora 18:30, PSD përmes një eventi do të shënojë 1 vjetorin e themelimit të saj.