​​Përfundon seanca për arsim, kërkohet dorëheqja e ministrit Bytyqi

Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për arsimin në Kosovë dhe vendimet e MASHT-it, pa ndonjë rezolutë konkrete.

Iniciuesi i seancës së jashtëzakonshme për arsim, deputeti Ismajl Kurteshi në përfundim të seancës kërkoi dorëheqjen e ministrit Bytqyi dhe bëri apel që mos bëhet botimi i teksteve aktuale deri në një shqyrtim të ri.

Përmes deputetit Kurteshi, po ashtu u vendos që në seancën e ardhshme të harmonizohen të gjitha rekomandimet për rezolutën dhe të votohet bashkë me propozimin për komision hetimor për arsim.

“Së pari mos të bëhet botimi i teksteve aktuale deri në një shqyrtim të ri. Kërkoj që menjëherë ministri të na dërgojë raportin ose informatën, sepse ky është një obligim ligjor për shkak të parregullsive në fushën e arsimit dhe skandaleve në MASHT, kërkojmë dorëheqjen e ministrit aktual”, tha ai.

Duke arsyetuar debatin se sotëm, deputeti nga radhët e VV-së, Ismajl Kurteshi mes tjerash tha se gjendja në arsim nuk është rezultat vetëm i qeverisë aktuale, por është rezultat i gjitha qeverive të paslufte.“Gjendja në arsim nuk është rezultat vetëm i qeverisë aktuale, por është rezultat i të gjitha qeverive të paslufte. Qeveria aktuale nuk dallon nga qeveritë të tjera, as s’ka punuar më mirë, as më keq. Gjendja është e njëjtë. Unë mendoj që me këtë debat nuk e kemi zgjedhur problemin e arsimit. Por ne duhet të dalim që të fillojmë një debat të gjerë shoqëror, me të cilin do të gjejmë zgjidhje për të dal nga kjo situatë e vështirë në arsim. Në fund duke pasur parash se arsimi nuk është problem i LDK-së dhe VV-së”, deklaroi Kurteshi.