​​Familja e dëshmorit Mehmet Salihuku torturohet nga Komuna e Drenasit për lirim të banesës

Familja e dëshmorit, Mehmet Salihukut nga Drenasi sot ishte e torturuar nga një vendim i Komunës së Drenasit, ku i kërkohet largimi nga banesa.

Minire Salihuku bashkëshortja e Mehmetit, dëshmorë i rënë në luftën e fundit, ka pasur sot afat deri në orën 14:00 që vullnetarisht ta lirojë banesën, në të kundërtën sipas vendimit, nëse pronarja nuk e liron banesën në afatin e dhënë, përveç largimit të dhunshëm me forca policore nga banesa, pronarja do t’i bartë edhe shpenzimet e kompanive të caktuara si dhe Komuna e Drenasit nuk bartë përgjegjësi për dëmtimin e inventarit të larguar nga banesa.

Minirja, nënë e dy fëmijëve, e cila ka një vajze të plagosur në luftën e fundit, thotë për KosovaPress se para pesë vjetësh ishte strehuar në banesën, të cilën ia ka ofruar ish kryetari Nexhat Demaku, ndërsa shton se nuk ka vendbanim tjetër dhe nuk ka ku të shkojë. Përkundër afatit të dhënë nga komuna, aty nuk pati largim me forcë përveç që u pa një veturë e policisë afër bllokut të banesës, të cilët u larguan pas pak.

Salihuku madje thotë se e gjallë me jetë nuk do ta liron banesën, pa iu ofruar zgjidhje tjetër nga komuna.

“Vetëm lironi banesën, merrni mobilet dilni jashtë, ose vijmë ju qesim me dhunë me forca policore. Deri në orën 14:00, veç po afrohet kjo kohë edhe katër pesë minuta, vijnë kinse me forca policore për të na nxjerrë me dhunë. Ku me shkua unë, ku me dalë unë. Nuk po them që nuk e liroj këtë banesë, le të ma japin çelësin e vendbanimit tjetër, unë kam me dalë prej kësaj dhe kam me lirua. Ama, krejt pa zgjidhje dhe veç kapi sendet dhe fëmijët e dil, jo, nuk pranoj ose kam me dal me u mbytë. Pra, ta marrin vesh e gjithë bota se një familje të dëshmorit e zhduku Komuna e Drenasit në krye me Ramiz Lladrovcin, me bashkëpunëtorë të vet. Zgjidhja e vetme është kjo, s’kam tjetër zgjidhje”, deklaron Salihuku.

Minirja po ashtu thotë se çdo herë është mashtruar nga Komuna e Drenasit për një parcelë prej rreth 4 ari truall, e që nuk ka ndodhur asnjë herë. Madje, ajo deklaron se po kërcënohet vazhdimisht nga anëtari i këtij Komisioni që ka nxjerr vendimin, Gani Halilaj.

“4 ari truall gjëja se thirren se na i kanë ndarë komuna, por këto vetëm dezinformata të komunës janë… Më kanë shty me nxjerrë një plan të shtëpisë, që e dinë ata që e ndajnë tokën në komunë, e drejtori i Urbanizmit. Gani Halili, i cili po më kërcënon, e dinë ai çfarë kërcënimesh, i cili është bërë edhe anëtar i Komisionit për urdhër ekzekutim të banesës për me më larguar me dhunë, edhe plus krejt shërbimet. Pra, këta, (komuna) na ka ngarkuar edhe me shpenzime, vijnë katër persona të nxjerrin jashtë dhe nuk dhënë përgjegjësi për asgjë te një familje e dëshmorit. Shkau na ka vra, na ka plagosur, mbase edhe në moral, ndërsa tash shqiptari vjen na ngreh zhag, pse e ka bërë fuqinë me gjak të dëshmorëve”, pohon Saliuku.

Ajo thotë se është familje meritore dhe i takon banesa, e jo të jetë një prej familjeve më të keqtrajtuara nga familjet e dëshmorëve.

“Unë kam dhënë çka pata, e dhashë burrin dëshmorë, plagët e vajzës që s’po mund i shëroj që 20 vjet. Çka mi dhënë më kësaj toke?! Këta (komuna) s’po janë në gjendje një vendbanim me ma bërë, por nëse dëshirojnë me ardhur me më mbyt, le të vijnë të më mbytin kryetari Ramiz Lladorovci me bashkëpunëtorë të vet, me drejtor të urbanizmit, Gani Hailili dhe të tjerë, të cilët nuk na pranojnë edhe me shkua (në komunë), le t’i marrin do plumba mazi se shkau nuk na bëjnë. Të vjen të na vranë. Mua nuk më ka mbetur derë tjetër pa trokite për një vendbanim. Në këtë kohë jam vendosur si grua e dëshmorit me status të dëshmorit. Më kanë thënë: “Hynë rri këtu”, mi kanë dhënë çelësat “Je grua e dëshmorit, nuk guxon askush me ardhur me ju qitë jashtë”. Tash vet komuna po me kërcënohet, po thonë se vijmë dhe të qesim zvarrë jashtë. Kam kërkuar zgjidhje, por as që kanë pranuar me fol. Para një viti i kam shkuar kryetarit në shtëpi, në zyrë, nuk po me pranon”, tha ajo.

Ndërsa, zyrtarë të Komunës së Drenasit pohojnë për KosovaPress se vendimi për 16 familje është marrë prej Drejtorisë së Urbanizmit që ka të bëjë me identifikimin dhe lirimin e pronave të uzurpuara.

Zyrtari për media në komunën e Drenasit, Arben Shala thotë se vendimi është i bazuar në ligj, pavarësisht se mund të jetë i dhimbshëm.

Shala po ashtu deklaron se kryetari Ramiz Lladrovci familjes Salihukut dhe disa të tjera i ka ofruar mbështetje për ndërtimin e shtëpive në vendbanime, por që nuk kanë pranuar familjarët.

“Janë lëshuar 16 vendime, vendimet nuk janë të orientuara ndaj ndonjë personi të veçantë, apo ndonjë grupi të caktuar, por ka të bëjë me zbatimin e ligjit, sado që mund të jetë i dhimbshëm qoftë për persona specifik apo familjarë të ndryshëm, qofshin ata të dëshmorëve apo edhe minoritarë. Ndërsa, sa i përket çështjes që ju thatë, mund të ju konfirmoj se kryetar LLadrovci ka takuar disa nga ata persona dhe u ka ofruar që t’i ndihmojë të ndërtojnë shtëpitë e tyre në vendin ose në fshatin prej nga ata vijnë, por ata nuk kanë pranuar. Pra, t’ju ndërtojë shtëpi, megjithatë ata nuk kanë pranuar”, theksoi Shala.

Ndërsa, Minire Salihuku tha se nuk ka pronë të vet në Gradicë dhe ka mohuar të ketë pasur ndonjë mbështetje të tillë nga kryetari Lladrovci për ndërtimin e shtëpisë.

Ndryshe, vet kryetari Ramiz Lladrovci i kishte ndarë mirënjohje dëshmorit Mehmet Salihukut me motivacion: Për kontributin e dhënë në çlirimin e atdheut.

Ndërsa, nuk është vetëm familja Salihukut që ka marrë këtë vendim për lirim të banesave, por janë edhe 15 të tjera, një prej tyre i nacionalitetit serb.

Komisioni në përbërje nga Pajazit Hamza kryetar, Gani Halilaj anëtarë dhe Violeta Baleci anëtar i caktuar për ekzekutimin e aktvendimeve për lirimin e banesave të uzurpuara, duke u bazuar në dispozitat e neneve 149 dhe 150 të Ligjit nr. 05/L0031 për procedurën e përgjithshme Administrative sjellë këtë urdhër për ekzekutim të aktvendimit për Minire Saliuku, ku i caktohet data 22 korrik 2019 ditë e hënë në orën 14:00 për lirimin e detyruar të banesës së uzurpuar me sipërfaqe 102.21 metra katror numër 38 blloku A, kati 6 në rrugën “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” në Drenas.

loading…