​​Detaje: Si humbi jetën polici në Zhur të Prizrenit

Në mbrëmjen e sotme ka humbur jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës, dhe janë plagosur dy policë të tjerë dhe një i mitur.

Siç mëson KosovaPress, aksidenti fatal ka ndodhur deri sa njësitë e Policisë së Kosovës ishin duke kryer një aksion në fshatin Zhur të Prizrenit, ka ndodhur një shpërthim, ku nga plagët e marrua ka humbur jetën një polic, identiteti i të cilit është zbuluar se është Sami Thaçi nga Shkarashniku i Malishevës, ndërsa plagë kanë marrë dy policë të tjerë si dhe një i mitur i familjes ku ka ndodhur shpërthimi.

Policia nuk ka dhënë informacione se si ka ndodhur shpërthimi dhe as për natyrën e aksionit që ishte duke e kryer Policia e Kosovës në Zhur.

KosovaPress mëson se njëri nga të plagosurit është dërguar për trajtim në QKUK, kurse në Spitalin e Prizrenit po vazhdon të trajtohen një polic dhe i mituri.

Lajmin e ka konfirmuar togeri Shaban Osmanollaj, zyrtar për informim dhe marrëdhënie me publikun në Drejtorinë Rajonale në Prizren.

Ai përmes një komunikate për media, duke mos dhënë sqarime tjera, ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore.

Komunikata e plotë:

Mund të konfirmojmë se sot 28.01.2020 në orët e mbrëmjes gjatë një operacioni policor në fsh. Zhur të Prizrenit, dyshohet se ka ndodhur një shperthim ku si pasoj e këtij shpërthimi ende të pa identifikuar kanë pësuar lëndime tre zyrtar policor dhe një qytetar. Si pasojë e lëndimeve/plagëve të pësuara dyshohet se njëri nga zyrtarët policor të ketë ndërruar jetë. Njësitet policore relevante dhe stafi menaxhues i PK-se kanë dalur në vendin e ngjarjes. Për informacione tjera do t’ju njoftojmë në vijim.