​​AKR: Me neve në qeveri fuqizohet roli i gruas në vendimmarrje

Aleanca Kosova e Re ka mbajtur sonte një tubim me Forumin e Gruas të kësaj partie, ku është thënë se me AKR-në në qeveri fuqizohet roli i gruas në vendimmarrje.

Koordinatorja e Forumit të Gruas së AKR-së, Arta Haxhaj tha se si parti gjithmonë kanë qenë pro fuqizimit të femrës në shoqëri.

“Jemi njohur me të gjitha sfidat, problemet, vështirësitë me të cilat përballet femra sot. Prandaj, edhe në AKR kemi qenë pro fuqizimit të femrës, gjë që është dëshmuar ndër vite me pozita në qeverisje ku kemi pasur pozita të ndryshme si pozitën e zëvendëskryeministres, ministres, këshilltarëve, drejtoreshave dhe shumë pozita të tjera të cilat kanë qenë pozita vendimmarrëse”, tha ajo.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, njëherësh kandidat për deputet Valdrin Lluka, tha se si ministër është kujdesur që në ligjin për ndërmarrjet publike t’iu jepet vend i garantuar grave në këto borde.

“Si ministër i Zhvillimit Ekonomik jam kujdesur që në ligjin që jemi duke e bërë për ndërmarrjet publike me i jep vend të garantuar grave në bordet e ndërmarrjeve publike. Pra, aktualisht bordet e ndërmarrjeve publike kanë mbi 90 përqind meshkuj në borde, me ligjin që ne e kemi propozuar që është tashmë në Parlament i ka obligative që 40 përqind e bordit duhet të jenë gra.

Kjo për arsye se gratë kanë nevojë për fuqizim”, tha ai. Ai u ka bërë thirrje që të mbështetët të gjitha gratë që gjenden në listën e koalicioni Nisma-AKR-PD.Kandidatja për deputete nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Mirlinda Sopa u ka bërë thirrje që në zgjedhjet e 6 tetorit të votohen më shumë gratë.

“Të bëhemi pak më feministë dhe na votoni femrat e AKR-së, por që bëhuni më feministë dhe zgjidhni femrat në listën zgjedhore të AKR-së”, tha ajo.

Mbështetje për gratë kandidate për deputete ka kërkuar edhe kandidati për deputet nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Islam Pacolli. “Edhe lufta nuk fitohet pa gjininë femërore, edhe shtëpia nuk udhëhiqet pa gjininë femërore, kudo që të jesh ju jeni më të përpikta, e keni besën, e bëni punën më mirë se ne meshkujt. Prandaj, sot ne kërkojmë mbështetje të juaj”, tha ai. AKR përveç me Forumin e Gruas, sonte do të mbajë edhe një takim me Forumin e Rinisë së kësaj partie.

loading…