​​ Nitaj: Komisioni nuk ka arritur ta argumentojë nëse e ka dhënë urdhrin presidenti

Deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj, që ka qenë edhe pjesë e komisionit hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq, tha se raporti që ky komision ka nxjerrë është korrekt, i saktë dhe se përfundimet dhe rekomandimet e nxjerra janë një bazë e fortë për ndryshimet e domosdoshme të kornizës ligjore që e rregullon këtë materie.

Po ashtu, ai tha se ndoshta është edhe një pistë shumë e përshtatshme për të adresuar përgjegjësitë e njerëzve që kanë qenë të përfshirë në këtë operacion.

Ai tha se komisioni asnjëherë nuk ka arritur të argumentojë se kush ka qenë urdhërdhënësi për deportimin e shtetasve turq.

“Ndoshta është raporti më cilësor që është shkruar ndonjëherë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe si të tillë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pa asnjë dyshim do ta votojë në unison. 31 shkeljet që janë evidentuar në raportin që po e trajtojmë sot janë argumentuar në komision një për një dhe unë mendoj që janë tepër të qëndrueshme. Ndërkaq se kush ka qenë i informuar për operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq se kush e ka ditur dhe kush nuk e ka ditur, se kush ka qenë urdhërdhënës, nëse ka qenë urdhërdhënësi ose nëse mbas gjithë kësaj ka qëndruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi unë nuk e di, por në fakt duhet ta pranojmë të gjithë këtu që komisioni hetimor nuk ka arritur ta argumentojë asnjërën prej këtyre pretendimeve.

Prandaj, diskutimet që u dëgjuan se kush ka qenë i informuar janë absorbime individuale personale të deputetëve dhe unë vlerësoj që nuk janë pjesë e raportit dhe nuk i ndihmojnë votimit të raportit”, tha Nitaj. Ai tha se kjo çështje ishte bërë temë e politikës dhe e përplasjeve ndërmjet PDK dhe partive opozitare në nivel të komisionit hetimor.