Ministri i Shëndetësisë

​Zemaj kërkon zbatimin e rregullave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit

Edhe gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar shifra të larta të të prekurve me sëmundjen infektuese koronavirus.

Nga 1.794 mostra të marra brenda 24 orëve, 730 prej tyre kanë rezultuar pozitivë, ku vetëm në Prishtinë janë regjistruar 312 raste të reja.

E kjo ka shkaktuar reagimin e ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili ka thënë se duhet të tregohemi sa më të kujdesshëm në respektimin e masave antiCOVID.

Gjatë një takimi me Berat Rukiqi, kryetar i OEK-ut, Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, Petrit Kllokoqi kryetar i Shoqatës së Gastronomëve dhe Hysen Sogojeva, kryetar i Odës Hoteliere të Kosovës, ministri Zemaj ka kërkuar zbatimin strikt të masave antiCOVID-19.

Teksa i ka quajtur të arsyeshme shqetësimet e secilës kategori të shoqërisë sonë, ministri Zemaj tha se të gjithë së bashku duhet të mendojmë për shëndetin publik.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur se rekomandimet e marra gjatë takimit të sotëm, do t’i diskutojë me kryeministrin Avdullah Hoti, në mënyrë që masat e marra nga Qeveria të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë ne.