​Ylli i PSV-së para ndeshjes kundër Barcelonës: Jam tifoz i madh i Messit

Mesfushori i PSV Eindhoven, Gaston Pereiro, ka bërë të ditur se ai është tifoz i madh i yllit të Barcelonës dhe se është i lumtur që sonte do ta ketë mundësinë të luajë kundër tij në Ligën e Kampionëve.
PSV do ta presë sonte në shtëpi Barcelonën për ndeshjen e vlefshme për Grupin B të Ligës së Kampionëve. Kjo ndeshje nuk është shumë e rëndësishme për katalonasit, pasi që ata tanimë e kanë siguruar kualifikimin nga faza e grupeve, transmeton Gazeta Express.

Uruguaiani Pereiro do ta ketë rastin që në këtë ndeshje të takohet për herë të dytë me yllin argjentinas të Barcelonës, Messin. Në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave, Messi kishte shënuar het-trik në fitoren me rezultat 4-0 për katalonasit.

“Unë po ndihem mirë dhe të luajë kundër Barcelonës është një ndeshje e ëndrrave të mia. Në Camp Nou, ne luajtëm mirë deri në momentin kur e shënoi golin Messi”, ka thënë Pereiro në konferencën për shtyp para ndeshjes.

“Ai është një lojtar i mrekullueshëm dhe unë duhet të jem i kujdesshëm me të. A jam tifoz i tij? Natyrisht dhe jam shumë i lumtur që do ta kem mundësinë të luajë kundër tij. Ata e kanë një skuadër të mrekullueshme, por ne jemi të përqendruar ta fitojmë ndeshjen”.

Nëse Barcelona e fiton këtë ndeshje, e siguron kualifikimin nga vendi i parë për në fazën e ardhshme, në mesin e 16 skuadrave më të mirë të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.