Yjet kosovare

​Xhaka dhe Rashica të kënaqur me paraqitjen para tifozëve prishtinas

Është zhvilluar ndeshja miqësore mes skuadrave të Granit Xhakës dhe Milot Rashicës, ndeshje kjo e organizuar në nder të 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës.
I pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pas ndeshjes u shpreh tejet i lumtur me faktin se stadiumi ishte gati i mbushur, duke ditur edhe se ku do të përfundojnë të hollat e mbledhura nga shitja e biletave.

“Ne e dimë që e kemi kapacitetin 13 mijë ulëse, për një lojë kështu të yjeve. I falënderoj të gjithë, sepse ato të hyrat nga biletat shkojnë për bamirësi. I falënderojë të gjithë lojtarët, ne sot i kemi përmendur dy kapitenët më së shumti, Granitin dhe Milotin, por edhe të gjithë ata që morrin pjesë. Ashtu siç thashë edhe paradite gjithçka pos miqësore përfundojë me një rezultat barazi 4 me 4”, tha Ahmeti. Ndërkaq Granit Xhaka pas ndeshjes tha se ishte tejet i emocionuar që zhvilloi ndeshjen e parë në stadiumin e rinovuar të Prishtinës dhe sipas tij ky organizim duhet të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim ,

“Faleminderit prej juve të gjithëve. Ishte kënaqësi me luajt një ndeshje shumë të mirë kundër Milotit dhe shokëve të vet. Stadiumi full, përkrahje sa të duash dhe shumë krenar”, tha Xhaka. Ndërkaq ylli kosovar, Milot Rashica pas ndeshjes falënderoi të gjithë të pranishmit në stadium si dhe lojtarët që kanë gjetur kohën e tyre për të zhvilluar këtë ndeshje.

“Faleminderit të gjithëve që keni qenë prezent në stadium. Normalisht një ndeshje jo si ato tjerat qysh jemi mësuar, domethënë pa presion edhe nuk kanë pasur pikët ndonjë rëndësi. Kryesorja ka qenë më bo pak spektakël edhe mu kënaq gjithë këta tifoz që kanë ardhur. Shpresoj që kanë kaluar shumë mirë dhe jemi mundur me rregullu pak atmosferën. Normal stadiumi ka qenë gati i mbushur çka i falënderoj të gjithë jo vetëm Granitin, por të gjithë edhe lojtarët që kanë marrë pjesë dhe të gjithë tifozët”, tha Rashica.

Kujtojmë që ndeshja mes skuadrës së Xhakës dhe asaj të Milot Rashicës përfundoi baras me rezultat 4 me 4, raporton KosovaPress.

loading...