Ministri

​Viti shkollor 2019/20 me literaturë të re e buxhet të shtuar

Gjatë vitit 2018 arsimin në Kosovë e karakterizuan ngjarje të ndryshme. Literatura shkollore që po vlerësohet si sfidë tash e sa vite, gjatë këtij viti ka filluar të ndryshojë.

Madje, për herë të parë me literaturën e re shkollore, edhe mësimdhënësit do të pajisen me libra.Në një intervistë për Kosovapress, Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka treguar planet për vitin 2019, e njëherësh ka folur rreth projekteve që karakterizuan 2018-ën.

Lidhur me tekstet shkollore që pavarësisht gjuhës seksiste e raciste, kanë vazhduar të ribotohen, Bytyqi thotë se po punojnë që vitin e ardhshëm t’i përfundojnë tekstet e reja, për të cilat premton se do t’u kushtojnë vëmendje të shtuar që të mos ketë lëshime të tilla.

Për vitin e ardhshëm, kreu i arsimit ka njoftuar se buxheti i MAShT-it do të rritet për 19 përqind apo diku rreth 11 milionë euro. Megjithatë, Bytyqi thotë se arsimi ka nevojë për një buxhet më të madh.

Rreth një milionë euro nga buxheti, sipas zotimit të Bytyqit do të shkojnë për të mbështetur punën praktike në shkollat profesionale.

Për vitin 2019, Bytyqi ka premtuar se 100 asistentë do të punësohen në shkolla fillore dhe të mesme për t’i ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta. Por ajo që nuk u realizua gjatë vitit 2018, është aplikimi i procesit mësimor gjithëditor, që u propozua nga vetë Bytyqi. Për vitin 2019, Bytyi ka thënë se Agjencia e Akreditimit do ta zhvillojë kontrollin e cilësisë nëpër këto institucione.

Sipas tij, këto vendime janë hapa të nevojshëm drejt ndryshimit të sistemit arsimor në Kosovë.