2500 ulëse

​Vihet gurthemeli për ndërtimin e stadiumit në Zhur

Në Zhur të Prizrenit është vënë gurthemeli për ndërtimin e stadiumit, ndërtimi i të cilit do të kushtojë rreth 700 mijë euro dhe pritet t’i plotësojë standardet e vëna nga UEFA.

Financimi i këtij projekti është bërë nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit dhe pritet të përfundojë brenda dy viteve. Në vënie të gurthemelit ka marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili ka thënë se ky investim është shumë i rëndësishëm për banorët e zonës së Zhurit.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme, një ditë historike për këtë lokalitet, sepse po vendosim gurthemelin e stadiumit të Zhurit. Është projekt që financohet një pjesë të madhe nga ministria e Kulturës dhe me një participim nga Komuna e Prizrenit, më qëllim që edhe Zhurit edhe këtyre fshatrave përreth t’ia ngrisim infrastrukturën sportive. Edhe ky projekt është në kuadër të projekteve që po investon ministria gjithandej Kosovës që klubeve tona t’i ofrojmë kushte më të mira… Ky projekt i cili kap shumën rreth 700 mijë euro do të investohet bashkërisht nga ministria dhe Komuna. Besoj që vitin 2019 do të jetë i gatshëm për zhvillim të lojërave, po në të njëjtën kohë edhe për përgatitje”, u shpreh ministri.

Gashi premtoi se nuk do të jete ky projekti i vetëm, por që me prioritet do të trajtojnë kërkesat e kësaj rrethine.

Edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është shprehur se ky investim është shumë i rëndësishëm për banorët e komunës që ai e drejton. Ai bëri të ditur se stadiumi do të ketë rreth 2 mijë e 500 ulëse.

“Sot dita me bereqet me shi dhe besoj që edhe stadiumi shkon ashtu me punime të shpejta dhe përfundohet në afat. Është investimi i përbashkët i ministrisë me komunën. Është vonuar pak në aspektin e fillimit të punimeve për shkak të çështjeve pronësore me Agjencinë e Pyjeve, në fund e kemi pronën e siguruar dhe investimi ka filluar tani. Me sa e pash deri më tash kompania ka bërë një punë shumë të mirë në aspektin e rregullimit të gjendjes dhe besoj që do të jetë në përputhje me kontratën ashtu siç është paraparë dhe brenda dy viteve të kemi hapjen e këtij stadiumit”, tha kreu i komunës.

Ai tha se ky stadium do të ofrojë mundësi që përmes trajnimeve të zbulohen talentë të ri të kësaj komune. Stadiumi i Zhurit u tha se do t’i plotësoj standardet sipas shkallës së dytë të UEFA-së. Periudha për ndërtimin e këtij stadiumit është 322 ditë pune.