Kryetari i PDK-së

​Veseli për dialogun: Kah Mitrovica mos t’iu shkojë mendja, përfundimi duhet të jetë Kosova në OKB

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deklaroi sot se dialogu do të ketë si përfundim anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në të kundërtën ai paralajmëroi se nuk ka kuptim pjesëmarrja në këtë proces nga i cili mund të përfitojë Serbia apo kushdo tjetër.

Në një konferencë për media, Veseli ka folur rreth takimit të paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Uashington.

Ai me këtë rast iu ka bërë thirrje zyrtarëve institucionalë të Kosovës që në vazhdimin e dialogut me palën serbe të mos negociojnë mundësinë e ndarjes së Mitrovicës, duke thënë se Kosovës nuk guxon t’i cenohet asnjë milimetër i territorit të saj.

“Dialogu ka vetëm një përfundim, Kosova në OKB. Përndryshe nuk ka kuptim asnjë pjesëmarrje tjetër që mund të krijojë një përfitim nga Serbia apo kushdo tjetër. Nuk abuzoj që jam në pozitë, kush merr pjesë në dialog, do të flasë shumë haptas kush e dëmton Kosovën. Por nëse shkon dhe takohet si përfaqësues i Kosovës kushdo që shkon presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit veç le ta mbrojnë Kosovën, sovranitetin e shtetit. Kah Mitrovica as mendja mos t’iu shkojë”, tha Veseli.

Krahas kësaj, opozitari tha se mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjeve me Serbinë është dialogu.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe unë nuk jemi për luftë. Deri në momentin kur Serbia nuk cenon asnjë milimetër të sovranitetit të Kosovës. Momentin kur nuk jemi për luftë, në rrethana si shtet i pavarur dhe sovran, ne mendojmë se dialogu është mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai. /KosovaPress/