Nga ish bashkëlojtarët

​Solskjaer i vetëdijshëm se do të kritikohet

Trajneri i ri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, nuk ka asnjë dyshim se do të kritikohet gjatë periudhës së tij me klubin anglez nga Gary Neville dhe ish-bashkëlojtarët e tij, të cilët tani punojnë si analistë të futbollit.

Neville dhe shumë ish-lojtarë të Manchester Unitedit tani punojnë si analistë të futbollit, si Paul Scholes dhe Rio Ferdinand. Ata e kanë kritikuar publikisht klubin për mënyrën se si është menaxhuar gjatë viteve pas pensionimit të Sir Alex Fergusonit.

Solskjaer, i cili është emëruar në pozitën e trajnerit deri në fund të sezonit, ka thënë se përkundër që ai ka shpenzuar një kohë me këta analistë si lojtar i Manchester Unitedit, kjo gjë nuk do t’i ndalojë kritikat e tyre ndaj norvegjezit.

“Mos u shqetësoni, Gary do të tregohet shumë i ashpër me mua. Jam ulur përkrah tij në zhveshtore për 11 vite. Ai ulej afër meje dhe… ju e njihni Garyn!”, ka thënë Solskjaer gjatë konferencës për shtyp.

“Ai tani paguhet për ta dhënë mendimin e tij dhe natyrisht, ai do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë. Nuk jam ndryshe nga askush tjetër, nga asnjë trajner tjetër që e drejtoi këtë skuadër në fushë”.

“Kjo punë vjen me një përgjegjësi. Por, unë nuk luaj për ta. Puna ime është të sigurohem se lojtarët do ta shijojnë veten këtu”.