SHKK

​SHBA i dhuron pajisje Shërbimit Korrektues

Nga sot Shërbimi Korrektues i Kosovës do ketë mundësi më të mira të punës pasi që byroja për çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit (INL) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtij institucioni i dhuroi pajisje me vlerë rreth 100 mijë dollarë.

Në këtë dhurim të këtij donacioni i pranishëm ishte edhe zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-së, Jorgen Andrews, i cili tha se Kosova në shumë aspekte mund të bëhet model potencial për regjionin.

Sipas tij, Shërbimi Korrektues është pjesa kyçe e reformave të sektorit të drejtësisë në cilindo shtet, prandaj duhet të investohet në këtë aspekt.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi tha se përmes reformave që po bëhen në këtë institucion, po synojnë që të jetë shembull për rajonin.

Derisa falënderoi shtetin amerikan për këtë donacion, Thaçi tha se shembull i suksesit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, është vizita e një delegacioni nga Shqipëria që kanë ardhur në Kosovë për praktika se si trajtohen ata që janë të rikthyer nga Siria.

Zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-së, Jorgen Andrews në kuadër të vizitës së tij në Kosovë mori pjesë në sesionin e diskutimit lidhur me rolin e shoqërisë civile në sistemin e drejtësisë, i organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Andrews nga aty tha se procesi i vettingut ka rreziqe dhe sfida të ndryshme dhe se Kosova duhet ta zhvillojë vetvetiu mekanizmin që ta sanksionojë juristët, prokurorët, gjykatësit të cilët nuk sillën sipas etikës së standardeve.